Moska e Kievi kanë bërë një shkëmbim të burgosurish gjatë të cilit u liruan 50 ushtarë rusë, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes.
Ushtarët e kthyer do transportohen me avion në kryeqytetin rus për trajtim mjekësor, tha ministria në një deklaratë, duke shtuar se ‘jeta e tyre ishte në rrezik gjatë robërisë’.
Kreu i Republikës Popullore të Donetskut (DPR), Denis Pushilin, shkroi në kanalin e tij Telegram se shkëmbimi u krye bazuar në skemën ‘50-për-50’.
“Pesëdhjetë luftëtarë tanë po lirohen, duke përfshirë shtatë persona nga Republika Popullore e Donetskut dhe dy nga Republika Popullore e Luganskut. Po presim që djemtë të kthehen në shtëpi.” – shkroi ai.
Andrey Yermak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas Vladimir Zelensky, shkroi në Telegram se 52 ukrainas u liruan. Ai tha se në mesin e tyre janë 12 roje kombëtare, 18 efektivë të marinës, 8 roje kufitare, 9 anëtarë të Forcave vullnetare të Mbrojtjes Territoriale, 3 ushtarë dhe 2 civilë.
Shkëmbimet e të burgosurve kanë ndodhur pavarësisht mungesës së armëpushimit dhe muajve pa bisedime të rëndësishme paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.
Javën e kaluar, Moska liroi 108 femra ukrainase në këmbim të 110 rusëve, shumë prej të cilëve ishin marinarë civilë.
Një tjetër shkëmbim i madh ndodhi muajin e kaluar, kur u liruan 55 luftëtarë rusë si dhe lideri i opozitës ukrainase Viktor Medvedchuk, i cili u akuzua për tradhti në Kiev. Në të njëjtën kohë, më shumë se 215 ushtarë iu dorëzuan Ukrainës, sipas presidentit Vladimir Zelensky.