Vendosni fjalën kyçe....

Putin rimerr rolin e negociatorit, pret liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit për bisedimet e paqes


Presidenti rus Vladimir Putin do të organizojë bisedimet mes liderëve të Armenisë dhe Azerbajxhanit, teksa Moska kërkon të rivendosë rolin e saj si një negociator i paqes.

Nisma vjen një muaj pas përleshjeve më të këqija midis Armenisë dhe Azerbajxhanit që nga lufta e tyre në 2020.

Zyrat e kryeministrit armen Nikol Pashinyan dhe presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev thanë se kishin mbërritur në Soçi për takimin, shkruan RFI.

Kremlini tha se bisedimet do të fokusohen në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me ndërmjetësimin e Rusisë vitin e kaluar dhe “hapat e mëtejshëm për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë” në rajon.

Putin fillimisht zhvilloi një takim ballë për ballë me Pashinyan dhe ishte caktuar të takohej më vonë me Aliyev veçmas, përpara se të tre të mblidheshin për bisedime trepalëshe.

“Më e rëndësishmja është sigurimi i paqes dhe krijimi i kushteve për zhvillim.”- i tha Putini kryeministrin armen Pashinyan.

“Unë shpresoj shumë se ne do të jemi në gjendje sot të bëjmë hapa drejt zgjidhjes (konfliktit të Karabakut).”- vazhdoi ai.

Pashinyan tha se prioritetet e Jerevanit përfshinin tërheqjen e Azerbajxhanit nga zonat në Karabakh të kontrolluara nga paqeruajtësit rusë dhe çlirimin e robërve armenë.

“Ju falënderoj për përpjekjet që po bëni për të vendosur paqen, stabilitetin dhe sigurinë.”-tha ai.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar dy luftëra – në vitin 2020 dhe në vitet 1990 – mbi rajonin e populluar të Nagorno-Karabakh.

Një luftë gjashtë-javore në vjeshtën e vitit 2020, e cila mori jetën e më shumë se 6 mijë e 500 trupave nga të dyja palët përfundoi me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia.

Muajin e kaluar, 286 njerëz nga të dyja palët u vranë në përleshjet e reja që kanë rrezikuar një proces të ngadaltë dhe të ndalur paqeje. Armiqësitë përfunduan me një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA, pas përpjekjeve të dështuara të mëparshme të Rusisë për të negociuar një armëpushim.