Vendosni fjalën kyçe....

Rama me të rinjtë në Ersekë: Varianti “ik se këtu s’ke mundësi” është psikozë


Në një takim në Ersekë me të rinj, kryeministri Edi Rama u ndal tek emigrimi.

Rama tha se problematika me emigracionin ndodhin edhe brenda vendeve të Europës, ku sipas tij, banorët e zonave më të varfra largohen drejt zonave më të pasura.

“Ne nuk jemi të parët që e kalojmë emigrimin, por jemi nga të fundit që e kalojmë pasi jemi të fundit që kemi dalë nga cikli i barbarisë dhe izolimit. Sot kemi fakte që na ndihmojnë, për të thënë që këtu nuk është e vërtetë që këtu nuk ka mundësi dhe duhet të ikësh. Jemi një vend me liri lëvizjeje. Bota është bërë gjithmonë e më e vogël. Ka zona të BE-së që përjetojnë ikje drejt zonave më të pasura. E njëjta problematikë është edhe në fshatrat e Italisë, të Spanjës, të Portugalisë, etj. Një drejtore banke në Tiranë kishte vendosur bashkë me të shoqin të vinte këtu dhe me ato mundësi që kishin vendosën që të rindërtonin shtëpinë e tyre këtu dhe ta kthenin në bujtinë. Tani ju si mendoni, ajo zonja fitonte më shumë atje apo fiton më shumë këtu. Normal që fiton më shumë këtu se përndryshe nuk do të vinte fare. Kjo zonë ka 20 mijë vizitorë që kanë fjetur këtu. Kjo do të thotë më shumë mundësi apo më pak mundësi. Do thoni ju pse ka më shumë mundësi. Sepse kjo bukuri këtu është një pasuri dhe lum kush e shef me atë sy dhe bën një punë për të marrë një pjesë të vogël të kësaj pasurie. Të ndërtosh sot një bujtinë në shtëpinë e rrënuar të gjyshit do të thotë që të fitosh më shumë se në çdo vend të Europës duke bërë një punë të zakonshme. Të mbledhësh bimë medicinale dhe të ndërtosh një sipërmarrje për këtë gjë, do të thotë të fitosh shumëfish se ç’mund të fitosh në Gjermani.”– u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, varianti “ik se këtu nuk ke mundësi” është i pavërtetë dhe është psikozë.  

“Sot një njeri në moshën tuaj nëse ka vullnetin dhe dëshirën për të hyrë në botën e teknologjisë mund ta bëjë nga këtu. Duke mësuar gjuhën e teknologjisë për një treg që është kudo. Mund të punësohesh në Europë, Australi duke qenë këtu. Varianti ik se këtu nuk ke mundësi është i pavërtetë dhe është psikozë. Midis një pune të zakonshme jashtë dhe një investimi këtu, flasim për investime të mundura. Nuk do u sugjeroja kurrë që në këtë moshë të iknit. Unë kam qenë emigrant dhe e di shumë mirë çfarë flas, dhe nuk më ka dalë keq dhe nuk mund t’i them askujt mos ik. Por mos ikni kurrë me kotrabandistë dhe rrugë ilegale. Kurrë me idenë se këtu nuk ka asnjë mundësi.”- tha Rama.