Hollësi të reja kanë dalë në dritë lidhur me sulmin ndaj Paul Pelosi, bashkëshortit të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Nancy Pelosi.
David DePape, njeriu i akuzuar se sulmoi me çekiç bashkëshortin e Pelosit javën e kaluar në shtëpinë e çiftit në Kaliforni, ka qenë ‘i sëmurë mendor prej një kohe të gjatë’, sipas një gruaje që e identifikoi veten si ish-partnerja e jetës së DePape.
Oxane Taub, një aktiviste nudiste, e cila aktualisht është e burgosur në Institutin e Grave në Kaliforni, pasi u dënua me akuza për rrëmbim vitin e kaluar, i tha ABC7 se DePape, 42 vjeç, vuante nga probleme të shëndetit mendor.
“Përshëndetje, jam Gypsy Taub. Unë jam ish-partnerja e jetës së David DePape dhe nëna e fëmijëve të tij.” – tha Oxane ‘Gypsy’ Taub për median lokale gjatë fundjavës.
“Ai është i sëmurë mendor. Ai ka qenë i sëmurë mendor prej shumë kohësh.”
Taub, i cili vuri në dukje se dyshja kishin dy djem përpara se të ndaheshin shtatë vjet më parë, tha se DePape në një periudhë u zhduk për rreth një vit. Kur u rishfaq, tha Taub, ai besonte se ishte Jezu Krishti.
“Ai u kthye në gjendje shumë të keqe. Ai mendoi se ishte Jezusi. Ai ishte vazhdimisht paranojak, duke menduar se njerëzit po e ndiqnin. U deshën një ose dy vite të mira për t’a rikthyer në gjysmë normal.” – tha Taub për ABC7.
Taub tha se DePape nuk kishte qenë kurrë veçanërisht i përfshirë në politikë, por ajo e përshkroi veten si një progresiste. Megjithatë, ajo tha se DePape dukej se ndante pikëpamjet e saj të krahut të majtë kur ata ishin të lidhur me njëri-tjetrin.
Paul Pelosi u dërgua në spital pas sulmit dhe iu nënshtrua një operacion në kokë, krahë e duar. Gjendja e tij siopas autoriteteve është e mirë dhe ai pritet që të riaftësohet plotësisht.