Bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale, Dhurata Çupi, prezantoi sot në parlament, propozimet e Partisë Demokratike në lidhje ndarjen e re territoriale.
Çupi propozoi rritjen e numrit të bashkive nga 61 në 94 në mënyrë që sipas saj të mos cënohet demokracia lokale.
“Studimi ynë që çon në shtimin e 33 bashkive të reja, na çon në disa rezultate mjaft me interes: 33 bashkitë e reja krijohen nga bashkimi i rreth 100 njësive administrative. Në këto 100 njësi janë të punësuar mesatarisht rreth 1700 punonjës, që i kushtojnë buxhetit të shteti paga dhe sigurime. Me riorganizimin e territoreve, çdo bashki do të ketë në strukturën e saj rreth 50 punonjës, të cilët vendosen në strukturat e nevojshme organizative dhe funksionale të bashkisë. Riorganizimi po ashtu zëvëndëson 100 administratorë të emëruar, me 33 kryetarë të zgjedhur. Do të mjaftonte në fakt kjo e dhënë për të kuptuar, që ky riorganizim i shërben demokratizimit, transparencës dhe llogaridhënies së pushtetit lokal.”- tha deputetja.
Ajo kërkoi me insistim ngritjen e një komisioni të posaçëm për realizimin e reformës admisnitrativo-territoriale.
Deputetja demokratike kërkoi që niveli i parë i pushtetit të përfaqësohet nga bashkitë ndërsa niveli i dytë të përfaqësohet nga qarqet ose rajonet.
Përsa i përket qarqeve, PD-ja propozon reduktimin e numrit të tyre nga 12 në 6 qarqe: ”Ne propozojmë rigrupimin e qarqeve. Ne propozojmë nga 12 qarqe të kemi 6 qarqe. Shkodër-Lezhë, Dibër-Kukës, Tiranë-Durrës, Elbasan-Korçë, Fier Berat, Vlorë-Gjirokastër.”
Deklarata e plotë:
Raporti përmbledhës në emër të Partisë Demokratike nga bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Dhurata Çupi Tyli
Zonja Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar kolege/ë deputete/ë,
Të dashur qytetarë,
Në fillim të kësaj legjislature, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi me insistim ngritjen e një komisioni të posacëm për realizimin e reformës administrativo-territoriale. Arsyeja është e thjeshtë për t’u kuptuar: reforma administrativo-territoriale e vitit 2014, e bërë me nxitim e nën trysninë e zgjedhjeve lokale që po afroheshin, në mënyrë të njëanshme, e duke u udhëhequr nga interesi elektoral më shumë se ai qytetar, kishte dështuar.
Dështimi i saj pranohej, herë nën zë e herë zëlartë, jo vetëm nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike apo të partive politike opozitare, por edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile, mediave, faktorit ndërkombëtar, qytetarët dhe madje edhe socialistë të ndershëm, përfshirë ish-drejtues të pushtetit vendor. Dështimi i kësaj reforme na u kthye në një refren të përditshëm gjatë takimeve intensive të zhvilluara me qytetarët gjatë fushatës zgjedhore të Prillit 2021. Jo vetëm kaq, por qytetarët kërkonin zgjidhje. Kërkonin një pushtet lokal që t’iu shërbente qytetarëve dhe jo kryetarëve.
Ne si deputetë, të dalë me votën dhe vullnetin e qytetarëve, t’i përgjigjeshin thirrjes së tyre, si një detyrim i qartë i besimit të marrë. Sigurisht, edhe pse kishte pengesat e veta deri te ngritja e këtij komisioni, nga vete autorët e reformës së vitit 2014, por insistimi jonë ishte e drejtë
Do të ishte naive të thuhej se ngritja e komisionit ishte një sukses i vetëmjaftueshëm për ne, por është e pamohueshme që ngritja e këtij komisioni dhe celja e debatit mbi reformën territorial i detyrohet pikërisht insistimit dhe koherencës së Grupit Parlamentar të PD-së për thuajse pesë muaj, deputetë, ekspertë, përfaqësues të botës akademike, shoqërisë civile, medias, partnerëve ndërkombëtarë, u angazhuan ndofta në procesin më transparent dhe gjithëpërfshirjes për të adresuar një problematikë që i shqetësonte të gjithë. Përtej krahëve dhe bindjeve politike, një pushtet vendor pranë qytetarëve, që i sheh, që i dëgjon, që i takon, që iu shërben dhe iu zgjidh hallet qytetarëve, duhet të jetë një pikëtakimi për të gjithë ne në këtë sallë dhe përtej saj.
Dhe sot, si bashkëkryetare e këtij komisioni, kam kënaqësinë që të jem përpara jush, me një propozim të plotë dhe të detajuar, që besoj fort se ju jep përgjigje kërkesave, ankesave dhe pritshmërive të qytetarëve në cdo bashki të vendit, kudo që ata jetojnë, pavarësisht nëse janë demokratë, socialistë, me parti apo pa parti, që votojnë apo abstenojnë.
Përpara se të vijoj më tej me paraqitjen e këtij raporti, dëshiroj të falënderoj përzemërsisht kolegët deputetë të Komisionit, ekspertët që na asistuan, si dhe këdo që erdhi në komision me mendimet, idetë dhe ekspertizën e tij, për të na e kthjelluar rrugën që duhet të ndiqnim për të ardhur deri te ky propozim. Dëshiroj po ashtu, të falënderoj strukturat lokale të Partisë Demokratike, të cilët me përgjshmëri të lartë qytetare dhe politike, morën pjesë në procesin e konsultimit dhe ofruan propozime që mbi të gjitha iu shërbejnë qytetarëve, padallim bindjeje politike.
Në punën tonë nga fillimi deri në fund, objektivat kanë qenë mjaft të qarta:
a) Të përcaktonim politika të qarta në nivelet përkatëse, gjithëpërfshirëse dhe bashkëkohore.
b) Të miratonim instrumente ligjore efektive për riorganizimin territorial në funksion të përkthimit të politikave në praktikë, që janë të integruara me standardet ndërkombëtare dhe pasqyrojnë angazhimet në proceset integruese të vendit drejtë BE-së.
c) Te rregullojme nga pikëpamja ligjore procese të qarta për vlerësimin dhe, sipas nevojës, rishikimin e rregullave dhe legjislacionit, veçanërisht për të shmangur ndikimin disproporcional në përfaqësim dhe shpërndarje shërbimesh publike vendore ndërmjet zonave urbane dhe rurale.
d) Te riorganizojme bashkite ne përshtatshmëri ndaj pritshmërive të arsyeshme të komuniteteve bazuar në histori, traditë dhe zakone, si dhe ndarje të burimeve të disponueshme dhe kapaciteteve për zbatim.
e) Ne zgjedhjet e ardhshme vendore, që tashmë përkojnë me datë 14 Maj, t’ju ofrojmë qytetarëve nje model tjeter qeverisjeje nga pikëpamja territoriale dhe admistrative.
Gjatë 32 viteve, pushteti vendor ka kaluar disa faza reformimi administrativ dhe territorial. Në përgjithësi, reformat në pushtetin vendor janë bërë me konsensus nga palët politike dhe me mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë.
Ndryshe ndodhi me reformën administrative të vitit 2014, e cila shkriu 373 njësi të qeverisjes vendore në 61 bashki që Shqipëria ka sot. Reforma u bë e njëanshme dhe pa konsensusin tradicional të partive politike. Mazhoranca e kohës shfrytëzoi mungesën e këtij konsensusi për qëllime të pastra elektorale, qëllime që dhe sot vijojnë të jenë mjaft të dukshme.
Jashtë cdo interesi partiak, në atë kohë, ne kemi gjykuar se pushteti vendor kërkon reformim me standarte. Koha na dha të drejtë, pasi sot pushteti lokal nuk po funksionon për qytetarët, nuk ju shërben atyre, nuk është përfaqësues i tyre. Reforma kërkonte detyrimisht korrigjime dhe rishikime.
Për të adresuar këto probleme dhe për të përmirësuar qeverisjen vendore, Partia Demokratike ka reaguar herë pas here me qëndrime të njohura publike, përfshirë edhe ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.
Pas shtatë vite zbatimi të reformës, ne mund t’i shohim qartë problematikat:
- Mungesë e theksuar përfaqësimi të komuniteteve të ish-komunave (njësive administrative) në vendimmarrje në këshillat bashkiakë;
• Mosrealizimi i autonomisë (decentralizimi fiskal dhe administrativ);
• Sasia, cilësia dhe shtrirja e paqëndrueshme e shërbimeve;
• Përfaqësimi qytetar në proceset vendimmarrëse dhe llogaridhënies së organeve drejtuese vendore;
• Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet ndër-institucionale për dialog real;
• Respektimi i ndarjes së pushteteve, paanshmëria etj;
• Shpërndarja e shërbimeve publike e disbalancuar ndërmjet zonave urbane dhe rurale;
• Kontrolli i territorit dhe qeverisja sa më pranë qytetarit, transparenca etj;
• Ekonomia e shkallës në dilemë të madhe dhe larg objektivit.
• Llogaridhenje e ulet, transparence nuk ka, ekonomia dhe zhvillimi lokal jashte prioriteteve, niveli i lartë i korrupsionit.
Iniciativa e Partisë Demokratike për një reformë të re territoriale fitoi menjëherë një konsensus të gjërë publik, pasi problemet ishin në sytë e të gjithë qytetarëve. Qytetarët presin me padurim të bëhen rregullime të cilat do t’ju përmirësojnë jetesën në zonat ku jetojnë, të ndjehen të përfaqësuar, te marrin shërbimet qe ju mungojnë.
Nga ana tjetër, ky interes publik për të bërë riorganizimin e territorit duket qartë edhe nga prezenca e madhe e këtij debati në të gjithë mediat kombëtare dhe lokale.
Një zgjidhje e mirë për të korrigjuar ndarjen territoriale është një qasje duke filluar nga njesia me e vogel ne qender bashkie, bazuar në ekspertizën faktike dhe profesionale, jashtë çdo interesi partiak, ndryshe nga reforma e 2014 me qasje të fortë nga qendra ne periferi
Nga ana tjetër, edhe fakti që 7 vite nuk mjaftojnë për t’u bindur mbi suksesin e reformës duhet pasur parasysh. Ne jemi përpjekur të ofrojmë rrugëzgjidhje efektive boshllëqeve të padëshiruara që solli kjo reformë gjatë 7 viteve, dhe të plotësojmë këto në kohën e duhur, jo të presim, pasi këto boshllëqe mund të thellohen potencialisht me kalimin e kohës.
Pra, është momenti i duhur për terapi të kujdesshme tani për të patur një pushtet të shëndetshëm në vazhdimësi.
Ndaj Partia Demokratike ka propozuar dhe kërkon një konsensus të gjërë politik për:
1-modelin e pushtetit vendor në Shqipëri,
2-rishikime, korigjime dhe riorganizimin e ri territorialo-administrativ për nivelin e parë dhe të dytë të pushtetit vendor, si dhe rekomandime për çështje administrative dhe rregullatore.
Propozimi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike është një dëshmi e qartë e faktit se:
I. Shqipëria ka shanse të mëdha që të përmirësojë përfaqësimin, të rrisë efiçiencën dhe efikasitetin në ofrimin e shërbimeve për qytetarët, në përmirësimin e cilësisë dhe të aksesit të qytetarëve në shërbimet publike vendore, në pjesëmarrje dhe vendimmarrje në të gjithë territorin e saj.
II. Riorganizimi i bashkive dhe krijimi i bashkive të reja rurale do të krijojne kushte për zhvillimin ekonomik lokal, rural, agroturizëm, dhe rigjallërim të jetës sociale, ekonomike dhe politike, me pritshmëri për të “frenuar” shpopullimin.
III. Reduktimi i pabarazive midis zonave rurale dhe urbane, si edhe krijimi i kushteve të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe kontroll të territorit në të gjithe vendin.
IV. Rritja e kapaciteteve të administratës publike vendore, si dhe forcimi i strukturave administrative dhe komunitare sa më afër qytetarëve, ofrojnë shanse për rininë, grupet e tjera shoqërore dhe vazhdimësinë e komuniteteve.
V. Përmirësim të demokracisë vendore nëpërmjet rritjes së potencialeve përfaqësuese në vendimarrjet lokale, llogaridhënies dhe instrumentave të tjerë demokratikë.
VI. Detyrimet e qeverisjes vendore mbi rolin e tyre për integrim në BE plotësohen më mirë me reformimin dhe riorganizimin territorial.
Të dashur qytetarë,
Partia Demokratike ka historine e saj pozitive dhe shume demokratike gjate ketyre 30 viteve demokraci ne reformimin e pushtetit vendor.
Qeverisja vendore në Shqipëri, përpara viteve 90, në thelb ishte një qeverisje e kontrolluar, me organe të kufizuara vetqeverisëse (këshillat popullore) brenda kuadrit të një sistemi vendimmarrës thellësisht të centralizuar, qeverisje kjo e ngarkuar për menaxhimin e zbatimit të planeve ekonomike të detajuara të qeverisë në çdo sektor ekonomik. Gjatë 30 viteve demokraci, pushteti vendor ka kaluar disa faza reformimi administrativ dhe territorial dhe ka gdhendur historikun e tij të ndarjes territoriale.
Pas viteve ’90, qeverisja vendore ka kaluar në tre faza të zhvillimit per te cilat PD ka dhenë nje kontribut madhor, mbeshtetje dhe konsensus per te reformuar pushtetin vendor ne te gjitha dimensionet e tij.
Faza e pare, i përket periudhës 1992-2000 me Ligjin organik nr. 7572 i vitit 1992 dhe vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 269 datë 25.6.1992 për ndarjen administrativo-tokësore të Republikës së Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe kishim 314 komuna, 44 bashki dhe 36 rrethe. Në këtë fazë, decentralizimi fiskal dhe reformat ekonomike qëndrojnë në disavantazh përkundrejt atij politik.
Në këtë kohë (Gusht 1992) u krijuan të parat organe te qeverisjes vendore (sipas Ligjit 7572/1992 mbi “Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Lokal”). Kjo duhet të gjykohet si një arritje tepër e rëndësishme. Organeve vendore iu kaluan disa nga shërbimet dhe funksionet me përfitim të drejtpërdrejtë për publikun, së bashku me më shumë autonomi administrative dhe financiare. Megjithatë, përkundrejt qëndrueshmërisë së autonomise dhe mozaikut politik, autonomia fiskale dhe administrative mbeti tejet e kufizuar.
Faza e dytë i përket viteve 2000-2015 me Ligjin Organik nr. 8652 të vitit 2000. Kjo periudhë nisi me zhvillimin e rëndësishëm të Ratifikimit të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore në 1999. Statusi i pushtetit vendor filloi të ndryshonte dhe me hartimin dhe miratimin e Kushtetutës së re të Shqipërisë. Sipas Kushtetutës, Shqipëria është shtet unitar me dy nivele të pushtetit vendor: bashkia/komuna në nivelin e parë dhe qarku në një nivel më të lartë. Pushteti vendor në Shqipëri bazohet në parimin e decentralizimit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore. Në këtë periudhë kishim 308 komuna, 65 bashki dhe 12 qarqe të cilat u krijuan këtë periudhë nga ‘reformimi’i 36 rretheve.
Faza e tretë i përket periudhës 2015 dhe aktualisht, pra periudhës së zbatimit të reformës territoriale me Ligjet nr.115/2014 për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në republikën e shqipërisë si dhe 139/2015 “per veteqeverisjen vendore”, periudhë në të cilën kemi 61 Bashki që përfaqësojnë nivelin e parë të pushtetit vendor dhe 12 Qarqet që përfaqësojnë nivelin e dytë të pushtetit vendor.
Partia Demokratike, në koherencë të plotë me qëndrimet e saj, nuk ishte kundër reformimit të pushtetit lokal, si një proces në përmirësim të vazhdueshëm. Por, PD-ja kundërshtoi me forcë një reformë që në vend të interesit qytetar, kishte në fokus interesin elektoral të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, asokohe në qeverisje.
PD-ja kërkoi që ky proces të merrte kohën e tij, nëpërmjet studimesh të thelluara, konsultash me qytetarë dhe grupe interesi dhe në fund të miratohej një produkt që gëzonte konsensus të dyanshëm. Por, PS-ja, me forcën e kartonit, refuzoi këtë ide të opozitës, dhe u nis në rrugën pakthim drejt marrëzisë së saj të rradhës. Qëllimi politik u arrit, por qytetarët u gjendën shpejt me një pushtet lokal shumë herë më pak cilësor se më përpara, e që kishte jo pak probleme.
Shumica e bashkive vazhdojnë sot të vuajnë nga sistemet e qeverisjes jo të kënaqshme dhe jofunksionale, duke përfshirë shpërndarjen e papërshtatshme të burimeve, sistemet joefikase të të ardhurave dhe ofrimin e dobët të shërbimeve jetike publike. Një qeverisje e tillë e dobët çon në rezultate të padëshiruara për aksesin në shërbimet publike nga të varfërit dhe te pafavorizuarit e shoqërisë.
Nevoja për të mbuluar dhe administruar në mënyrë efektive territore te largeta nga qendra mbetet ende edhe sot problem, transporti publik, strehimi, mirëmbajtja e rrugëve rurale etj., vazhdojnë të jenë kërkesë e vazhdueshme; inovacioni si një shtytës kryesor i produktivitetit vendor lë mjaft për të dëshiruar në zonat përtej qyteteve.
Por, para se të ndërmerrej konfiguracioni i ri territorial, a duhej që politika të përcaktonte qartë së pari se cili do të ishte modeli më efektiv dhe efikas i pushtetit vendor në Shqipëri? Pyetjet që mund të ngriheshin janë: Natyralitetit dhe kulturës kombëtare të Shqipërise i shkon një pushtet vendor me një nivel, pra vetëm bashki? Apo edhe me nivelin e dytë; qarqe apo rajone? Dhe si mund të riorganizohen të dy këto nivele me qëllim që të sigurojmë një vazhdimësi dhe qëndrueshmëri të reformës territoriale administrative në funksion të jetës çdo qytetari, pavarësisht ku ai jeton?
PD eshte e binduar se projektimi i autoriteteve administrativo-territoriale (sipas udhëzime të proceseve për reformën territoriale të Komitetit për Demokraci Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës), mund të hartohet në lidhje me një sërë parametrash: madhësia (territori, popullsia), funksionet (detyrat dhe kompetencat), autonomia (autoritetet shtetërore kundër vetëqeverisjes, varësitë fiskale dhe funksionale) dhe mënyra e funksionimit (prodhimi publik perkundër atij privat).
Por, ne kërkojmë t’i japim rëndësi përcaktimit te modelit të pushtetit vendor në Shqipëri (me një nivel apo dy nivele). Dhe ky perben parakushtin e parë te vendosur në tavolinë nga mazhoranca dhe opozita dhe faktorët e tjerë politik dhe jo politik.
Por, këto parametra varen reciprokisht nga njëri-tjetri. Zgjidhjet në lidhje me një parametër kanë lidhje me parametrat e tjerë.
Mbajtja e një numri të vogel njësish vendore sa është sot (61 bashki) rëndon shumë mbi demokracinë lokale, por dhe pritshmëria për ekonomi shkalle ka mbetur iluzion.
Mbajtja e një numri të madh të autoriteteve të vogla vendore në një vend me një popullsi të konsiderueshme (4.5 miljon sipas RrGjC), dhe 2,8 milion sipas Census 2011 – përfshin futjen dhe riorganizimin e nivelit të dyte të autoriteteve, sepse njësitë vendore janë shumë të vogla për t’u kujdesur për shumë shërbime publike dhe ato janë shumë për t’u kontrolluar efektivisht nga qeveria qendrore. Por kjo na siguron më shumë demokraci dhe përfaqesim dhe qeverisje me shumë nivele.
Në rastet kur vendoset një zgjidhje me dy nivele, disa funksione i duhen transferuar nivelit të dytë. Kështu psh. disa përgjegjësi ky nivel i merr nga qeveria qëndrore, ndërkohë disa të tjera i merr nga njësi të qeverisjes vendore që nuk janë në gjendje t’i performojnë këto shërbime. Kjo na çon në një qasje të decentralizimit asimetrik që është një qasje bashkëkohore.
PD ka bere përpjekje te rëndësishme për të ndjekur një kurs të qëndrueshëm të veprimeve reformuese të pushtetit vendor.
Per PD si parti konservatore, tradita, identiteti dhe identifikimi lokal dhe i jetesës në komunitete historike, si në shumë vende, nuk ka qenë e lehtë për t’u zhbërë. Ka një presion të madh sot për t’u rikthyer sa më shumë në këto tradita jetese dhe riorganizimi territorial. Në keto raste, është e rëndësishme të mbahet një qëndrim i qartë për rendin në të cilin janë fiksuar pikat e reformës.
Një parakusht për reformën që rrallë është trajtuar në mënyrë eksplicite në rastet studimore është konteksti më i gjerë socio-ekonomik i reformës.
Shpërndarja e popullsisë brenda vendit në zona rurale dhe urbane kanë një ndikim në llojin e ndarjes territoriale që mund të bëhet për të krijuar autoritete lokale të qëndrueshme.
Konteksi dhe rrethanat shqiptare, faktet dhe shifrat tregojnë për një tendencë drejt urbanizimit nga pikëpamja e demografisë, por nga pikëpamja e kapitalit natyror, ai mbetet i palëvizur dhe duhet të trajtohet, te marrë një vëmëndje më të madhe nëse i qasemi një riorganizimi territorial, kryesisht në zona rurale si instrumente dhe mekanizmave juridikë, administrativë dhe kushtetues qe i japin jete cdo lloj kapitali.
Te gjitha keto sigurojnë një rishpërndarje të përgjegjësive dhe lehtësimim e ngarkesës funksionale të bashkive qëndrore.
Qasjet teknike dhe konsensuale të reformes ju kundërvihen dyshimeve popullore për vete reformën, dhe kjo është një nga faktor drejt suksesit në korrigjimet eventuale të reformes territoriale.
Krijimi i njësive të reja vendore do të shoqërohet me një ndarje fleksibile të funksioneve, pra jo të gjitha autoriteteve vendore u jepen të njëjtat kompetenca dhe për këtë arsye ka qenë e mundur të akomodohen ndryshimet e brendshme brenda një vendi. Pra, nuk duhet të anashkalohet, por të bëhet e qartë për njësitë vendore mënyra e funksionimit brenda autoriteteve dhe juridiksionit territorial.
Mundësitë për të rregulluar disa nga parametrat e reformës varen deri diku nga konteksti kulturor. Besimi ose mosbesimi në autoritetet publike predispozon ndjenjën e publikut në favor të zgjidhjeve të ndryshme lokale.
Një pjesë e arsyetimit kundër riorganizimit është ngjyrosur gjithashtu nga supozimi se riorganizimi çon në humbje të kontrollit të pushtetit, dhe nuk kemi një racionalizim të marrëdhënieve ndërinstitucionale me njësitë ekzistuese. Por opinioni publik dhe interesat e qytetareve duhet prevalojnë mbi çdo rrugë të shkurtër ndërveprimi për interesa që nuk janë dobi publike.
tjetër diskutim ose parakusht është pranimi nga qeveria që riorganizmi territorial i vitit 2014 nga një reduktim i ‘guximshëm’ dhe “drastik” i numrit të njësive vendore (373 bashki dhe komuna dhe 12 qarqe) me qasje “të ashpër” nga lart-poshtë, të pranoje një mënyrë “të butë” qe shkon për një rritje të arsyeshme të numrit të njësive vendore dhe reformim të nivelit të dytë të pushtetit vendor.
Përfitimi i kësaj qasjeje është se pushteteve vendore dhe popullsisë u jepet mundësia të përshtaten me politikat dhe konteksin lokal, duke krijuar premisa për më shumë përfaqësim dhe demokraci lokale edhe në zona me potenciale të kufizuara ekonomike. Në të njëjtën kohë, parakushte për riorganziminin duhet të jenë edhe pranimi i bashkimeve vullnetare që ofrojnë ide të rëndësishme brenda fazave të mëvonshme të reformës.
Qasja ndaj modeleve nga vende të tjera. Është e vështirë të transferohen elementë nga një model i një vendi në modelin e një vendi tjetër. Për shkak të traditave historike dhe kulturore, i njëjti përfundim ka të bëjë me transferueshmërinë e të gjithë sistemeve administrative. Ndaj qasja jonë bazohet në parimin e përputhshmërisë me kontekstin lokal dhe kulturën kombëtare. Sistemet administrative evropiane, modelet evropiane jugore, modelet evropiane kontinentale, modeli britanik dhe modelet skandinave ndryshojnë nga njëri-tjetri dhe ndërvarësia ndërmjet komponentëve brenda sistemeve mund të funksionojë ndryshe.
Por, priremi të vleresojmë dhe pranojmë praktikat më të mira që nxirren nga përvojat e të tjerëve në parime dhe rregulla proceduriale, duke ia përshtatur kontekstit tone.
Raporti i propozuar nga PD ka marrë në konsideratë dhe është bazuar në dinamikë dhe zhvillimet e fundit, si në kuadër të reformave në nivel qendror, por dhe të punës së organeve të vetëqeverisjes vendore dhe ndryshimeve të ndodhura gjatë periudhës 2015-2022. Kryesisht, raporti bazohet në analizimin e gjetjeve të identifikuara nga:
1-Proces i gjërë konsultimi, pune, takimesh të nisura në vite dhe deri më sot, me të zgjedhurit lokal të kohës, në këshilla komunale, bashkiake dhe qarqesh, me intelektualë dhe zyrtarë të ndryshëm, me qytetarë, me takime me pushtetarë të niveleve të ndryshëm, politikanë edhe deputetë, në takime formale dhe informale.
2-Punë e bëre në terren nga vizita, takime, seminare dhe tryeza rajonale, debate mbi reformën.
3-Mbledhja e fakteve (historike dhe tradicionale) propozimeve, kërkesave apo sugjerimeve të grupeve të interesit, qytetarë apo komunitete në takime politike në të 12 qarqet e vendit.
4-Raportime dhe analiza të mëparshme në fushën e reformës territoriale administrative nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare.
5-Hulumtime të raporteve, botimeve apo artikujve të ndryshëm të pregatitur si pjesë e projekteve apo e veprimtarisë së institucioneve të ndryshme publike që veprojnë në fushën e pushtetit vendor, vigjilenca ndaj mediave të shkruara dhe vizive kombëtare dhe lokale që kanë ndjekur dhe raportuar mbi problemet e vazhdueshme që ka shfaqur reforma territoriale.
6-Rezultate krahasimore të performancës së pushtetit vendor mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit të Europës Juglindore,
7-Puna e komisionit të posacëm në parlament për ndarjen territoriale, dëgjesat me rreth 42 të ftuar si grupe interesi, akademia e shkencave, univeristete private dhe publike, bashkiake dhe ekspertë, organizata jo-fitimprurëse etj.
Shkurtimisht, po ju prezantoj me fakte dhe shifra, ndikimet e pritshme me reformen e propozuar nga ana jone.
Zona e ndikimit Ndikimi i pritur
Numri i njësive vendore Nga 61 bashki që është sot në 94 bashki,
Popullsia mesatare Ulet nga 75.000 në 32.000 për njësi vendore
Sipërfaqja mesatare Ulet nga 471 km2 në 315 km2 për njësi vendore
Të ardhurat Pritet një rritje graduale e të ardhurave nga taksat bujqësore
Shpenzimet Shpenzimet do të mbajnë në rastin më minimal trendin që kanë bashkitë sot me njësitë administrative.
Numri i të zgjedhurve vendor Rritet nga 61 kryetarë në 94 kryetarë, numri i këshilltarëve rritet nga 1607 në 2114
Decentralizimi Administrativ
Ky qëndron i lidhur me ideoligjinë e politikës se sa pushtet do t’ju transferohet Bashkive. Por, ne mendojmë që bashkitë e reja do të kenë pushtet administrativ duke u caktuar një sërë detyrash këtyre bashkive, sidomos ato që lidhen me tipologjinë e jetës dhe ekonomisë në zona rurale, apo dhe aspekte të tjera rregullatore, që lidhen me bujqësinë, pyjet, kullotat, vadijten, sektorin e agrobiznesit, turizmin rural, rrugë rurale etj. Konfigurimi shton mundësinë për një qeverisje territorialë më të mirë dhe më të kontrolluar. Ky riorganizimin që prezantojmë krijon disa nyje të reja administrative dhe ekzekutuese.
Decentralizimi politik Më shumë vendimmarrje për qytetarët, më shumë të zgjedhur, më shumë këshilla bashkiakë, më shumë alternativa dhe mozaik politik dhe politikash. Pesha e votës rritet shumë kur pushteti politik është afër. Dhe fuqia politike e vendimmarrjes është në presion më të lartë për interesat lokale.
Decentralizimi
financiare Bashkite e reja, si dhe ato ekzistuese, do të gëzojnë pushtetin ekonomik dhe financiar që percakton legjislacioni sot. Do të jenë të lira të shpenzojnë të adhurat nga burimet e veta si dhe do të operojnë lirshëm me transfertat e pakushtëzuara. Pozitive me rioganizimin është fakti që fuqia ekonomike nga tarifat dhe taksat bujqësore dhe të sektorëve rural do të jetë më e madhe.
Këto ndryshime të propozuara mbështeten plotësisht në kuadrin ligjor të brendshëm dhe në konventat ndërkombëtare të njohura dhe pranuara nga Shqipëria.
Konkretisht, në kreun 14-të të ligjit 139/2015 bëhet specifikim shumë i saktë, dhe ligjvënësi ka patur parasysh mundësinë për ndryshime të mundshme bazuar në rrethana dhe kontekse të ndryshme me interes për qytetarët, interesa lokale dhe kombetare. Kjo është një bazë e shëndetshme ligjore ndër të tjera për të bërë korrigjimet në hartën e ndarjes territoriale.
Ky rishikim i ndarjes nuk fillon nga zero, pra jemi një rrugë të njohur, kemi njohuri të mjaftueshme teknike dhe politike për të prodhuar një ndarje të qëndrueshme dhe pa cënuar vazhdimësinë e asnjë institucioni ekzistues, pra të 61 bashkive, dhe të bashkive te reja.
Një aspekt tjetër me rëndësi është dhe shqyrtimi i rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare, ku do të vecoja rekomandimet e Komisionit Evropian në kuadrin e procesit të integrimit evropian, rekomandimet e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Vendore pranë Këshillit të Evropës dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, të përfshirë në këtë proces.
Pra ne permbledhje te kesaj pike deshiroj te theksoj, se nuk ka asnje pengese ligjore per te bere korigjime ne organimin territorial dhe administrave. Madje ka mbeshtetje te plote edhe ne konventat nderkombetare. Mjafton vullneti politik dhe deshira per t’ju permiresuar jeten qytetareve tanë.
Grupi Parlamentar i PD-së sapo u ngrit komisioni kerkoi asistencen e eksperteve per te parashikuar një sërë kriteresh që ishin gjithpërfshirëse dhe mjaftueshëm shteruese. Kritere të tilla janë bazë për të tilla reforma edhe në vende të tjera të zhvilluara. Ne kemi respektuar kritere që janë përdorur në reformën e 2014, duke e pasuruar edhe me kritere të tjera që janë gjykuar të nevojshme. Sjell në vëmendje tuaj se kriteret e vitit 2014, megjithëse u shkruan në letër, mbeten të pazbatueshme, sepse mbi to prevaloi interesi politik.
PD eshte bazuar në parimin që bashkitë ekzistuese të qëndrojnë si qendra me territor urban dhe rural dhe kjo përkon me zhvillimin strategjik për 20-30 vitet e ardhshme. Ndërsa përtej këtij territori propozohet krijimi i bashkive të tjera rurale që do të përbëjnë nyje të zhvillimit administrativ dhe të ekonomisë rurale.
Qëllimi ynë nuk është vetëm të listojmë kritere, por edhe të bëjmë një vlerësim dhe krahasim të tyre, dhe të japim opinione mbi prespektivën për secilin kriter që do të merret në konsideratë në riorganizimin e pushtetit vendor në të dy nivelet. Konkretisht, kriteret që ne kemi pasur parasysh janë:
1. Procesi i riorganizimit, ndarjes së bashkive dhe krijimit të bashkive të reja bëhet mbi bazë Qarku.
2. Efiçenca ekonomiko-financiare dhe ekonomia e shkallës së njësive territorialo-administrative. Propozimi ynë për krijimin e njësive të reja nuk do shkaktojë efekte negative ekonomike. Do kemi një rishpërndarje të të ardhurave kombëtare nëpërmjet transfertave.
3. Numri i popullsisë – Njësitë vendore janë mjaftueshëm të mëdha për të kryer të gjitha shërbimet. Numri mesatar i popullsisë për njësi vendore sipas propozimit tonë është 32 mijë qytetarë, që gjithësesi është më i lartë se standardi në vendet e Bashkimit Evropian.
4. Kriteri i përfshirjes dhe tipologjia e shërbimeve të zonave urbane dhe rurale – Propozimi ynë qëndron për një ndarje dhe krijim të njësive vendore kryesisht rurale që vijnë si bashkim i disa njësive administrave me veprimtari ekonomike në zona rurale, mbi bazën e zhvillimit ekonomik, bujqësisë dhe agroturizmit, me nevoja shërbimesh për vaditje, rrugë rurale, shërbime për pyje e kullota, blegtori dhe shërbime të tjera sociale. Reforma aktuale ka krijuar shpërndarje të pabarabartë të shërbimeve publike në zonat rurale ku sipas censusit të vitit 2011 jetojnë 48% e popullsisë, dhe nga burimet tona rezulton se në shkallë kombëtare në 61 bashki vlera e investimit në zona rurale krahasuar me ato në zona urbane është diku te 20% në disa njësi, dmth e papërfillshme. Investimet në sektorin agrobujqësor, pyje dhe vaditje nuk kanë marrë vëmendjen e duhur nga bashkia qendër.
5. Vazhdimësia territoriale dhe distanca nga qendra- Njesite e reja qe ne propozojme janë të lidhura me njëra-tjetrën nga ana territoriale, dhe shkurtojnë në një masë të konsiderueshme distancën nga qendra ku është vendosur bashkia sot.
6. Garantimi dhe respektimi i lidhjeve historike- tradicionale dhe ndjeshmeria e komuniteteve/homogjeniteti- Krijimi i bashkive të reja është plotësisht në linjën e respektimit të lidhjeve të traditës, historisë dhe zakoneve në komunitete apo lokalitete të dikurshme. Por, për të shmangur dhe plotësuar çdo boshllëk në këtë aspekt dhe në respekt të ndjeshmërive qytetare ne do të propozojmë ndryshime ligjore përsa i përket referendumeve lokale.
7. Mbrojtja e minoriteteve etnike – Propozimi ynë nuk cënon aspak këtë aspekt dhe është në të njëjtën linjë me produktin e reformës së vitit 2014.
8. Rritja e përfaqësimit të qytetarëve në vendimmarrje- Propozimi ynë çon në një rritje të numrit të këshilltarëve vendorë me 550, dhe të të zgjedhurve nominalisht (kryetarë) me 33. Ajo që është shumë pozitive dhe e dobishme këtu, më shumë se sa sasia, është e lidhur me shpërndarjen e të zgjedhurve dhe rritjen e përfaqësimit në njësitë e reja që përfaqësojnë zona rurale. Kjo do të rrisë peshën e vendimmarrjes për zhvillimin rural.
9. Qeverisje sa më afër për qytetaret – Krijimi i bashkive të reja si organe kushtetuese siç janë dhe sot 61 bashkitë ekzistuese, do të çojë në qeverisje më pranë qytetarit, me kompetenca dhe funksione të mjaftueshme, mjete dhe burime financiare për t’ju përgjigjur nevojave të komuniteve në zona rurale. Kjo ndër të tjera sjell edhe një lehtësim për punën e bashkive në qendër, rrit fokusin dhe vëmendjen ndaj çështjeve urbane.
10. Kufinjtë e ish komunave që bashkohen për të krijuar bashkinë e re mbeten siç janë, dhe konsiderohen si një e tërë në njësinë vendore të re.
11. Bashkitë ekzistuese azhornojne kufijtë e rinj në territorin që mbetet në koordinim me bashkinë e re.
Vlerësimi i kritereve është me rëndësi për riorganizimin territorial dhe konsolidimin e bashkive. Por, asnjë kriter nuk duhet të përjashtojë tjetrin. Kjo ka qenë qasja qe ne kemi ndjekur dhe propozojme.
Në qasjen tonë jemi përpjekur t’i integrojmë për të gjetur një të mesme të “artë” për një konsolidim të qëndrueshëm. Për ne, propozimet për reformë kanë nisur me një vlerësim të kushteve, preferencave dhe ndjeshmërive vendore dhe jo me një fokus eskluziv mbi njësi të kategorive të caktuara (p. sh. njësitë e vogla), sikundër jo çdo njësi sado e madhe duhet domosdoshmërisht të zvogëlohet.
Pra, ne mbështesim bashkitë ekzistuese, që gëzojnë dhe funksionojnë mbi kriteret e sipërmendura. Ato do të mbeten entitete administrative siç janë, me territor urban dhe rural (nje qytet – nje bashki) dhe disa njësi të tjera që krijohen nga bashkimi homogjen i disa ish-komunave (NjA) do të jenë entiteti më vete pothuajse me veprimtari në zonat rurale.
Shifra prej rreth 94 njësi vendore për gjithë vendin (ose me një mesatare të popullsisë prej rreth 32.000 banorë) është e bazuar, para së gjithash, në vlerësimin tonë për çka do të jetë e nevojshme për të bërë një ndryshim kuptimplotë të kapacitetit të njësive vendore, në mënyrë që të përmbushin përgjegjësitë e tyre ligjore.
Bashkitë e reja që krijohen nga ndjekja e këtyre kritereve janë thuajse me territor rural. Pra, janë bashki pa qytete pjesa më e madhe. Por, qendrat e këtyre bashkive të reja mund të jenë dhe disa janë fshatra me traditë historike dhe atraksione turistikë që shërbejnë si epiqendër për turizmin në zona rurale. Por, në disa të tjera janë qyteza të vogla, apo qendra urbane me perspektivë zhvillimi të qartë.
Rritja e numrit të njësive vendore është një praktikë e ndjekur gjërësisht edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Duke filluar me Kroacinë, e cila ne vitin 1993 kishte 105 NjesiVendore, ndersa sot ka 550 te tilla. Gjithashtu, rritje të numrit të njësive vendore ka pasur edhe në Ceki, Ukrainë apo edhe fqinjët tanë në Maqedoninë e Veriut.
Është fakt i njohur se në vendet e BE-së numri mesatar i popullsisë është 5887 banorë, ndërsa propozimi ynë gjithësesi mbetet për një numër mesatar prej 32 mijë banorësh. Pra, megjithë shtimin e numrit të bashkive, sërish mbetemi larg nga standardi i BE-së. Megjithatë, sic jemi shprehur, cështja e pushtetit vendor për ne është një proces reformimi të vazhdueshëm, dhe ne nxisim vazhdimin e punës për të mbërritur tek standardi i BE-së.
Qeverisja vendore ka në thelb të suksesit të saj progresin dhe harmonizimin në dy drejtime :
1-Efektivitet dhe eficencë të demokracisë lokale, decentralizimit dhe përfaqësimit qytetar ;
2-Efektivitet dhe eficensë të shërbimeve publike lokale.
Reforma e vitit 2014 nuk i përmbushi asnjëherë këto 2 aspekte thelbësore. Shkurtimi i 373 subjekteve zgjedhore individuale (kryetare/kryetarë) njësish vendore dhe 6000 këshilltare/keshilltarë) shënoi një ulje drastike përfaqësimi të qytetarëve kudo dhe sidomos në zonat rurale, të cilet edhe sot kanë një përfaqësim aspak domethënës në këshillat e qyteteve. Edhe shërbimet publike në sasi nuk ishin aty ku u pretendua, kostot administrative u rritën përkundrejt synimit për të kursyer 60-80 milion dollarë kur u bë reforma në 2014, referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2018.
Prandaj, qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet që në shërbim të dy aspekteve të mësipërme, të arrijmë:
a. Më shumë demokraci dhe përfaqësim lokal të zonave rurale
b. Më shumë shërbim efektiv në këto zonat rurale te lena jashtë vëmendjes së bashkive të mëdha.
Kjo do të ishte një gjendje ideale që mund ta arrijmë me një riorganizim territorial të ri. Ne mendojmë se ky është vetëm një rishikim dhe korigjim i dimensionit territorial të ndarjes së vitit 2014. Ky korrigjim apo korrektim kufijshe na çon në një qeverisje vendore më pranë qytetarëve në zona që aktualisht janë jashtë vëmendjes, jashtë shërbimeve dhe jashtë përfaqësimit zgjedhor dhe me shume boshlloqe te trashëguara nga reforma e vitit 2014.
Bashkitë në tërësi, por bashkitë e reja të cilat po analizojmë, do të gëzojnë më shumë pushtet ekonomik ku burimet kryesore do të jenë nga transfertat e pakushtëzuara që sot sipas ligjit 68/2017 për financat e qeverisjes vendore është jo më pak se 1% e PBB në nivel kombëtar. Duhet theksuar se tanimë ky 1% do të përpjestohet për 94 bashki, sipas formulës përkatëse. Pra, ajo që bie në sy është një rishpërndarje e kësaj transferte në më shumë njësi vendore. Kjo përbën një zhvillim pozitiv.
Këto bashki do të kenë si burim edhe të ardhurat e tyre, të ardhura që janë nga sektori rural bujqësor, toka, vaditje, pyje, kullota etj, si dhe nga taksa e tarifa të tjera për shërbime të caktuara, transaksioni i pronave dhe nga biznesi dhe ekononia private. Ajo që duhet të ndodhë është se këto bashki pritet të sigurojnë më shumë të ardhura nga toka dhe sektori i bujqësisë meqë pushteti është më afër dhe fuqia ekzekutive ka më peshë, por dhe ndjesia qytetare është më e lartë, pasi paguan për atë pushtet që ka mundësi t;i ushtrojë presion dhe t’ja kontrollojë vendimarrjen më kollaj.
Referuar më sipër nënvizojmë se bashkitë e reja përsa i përket burimeve ekonomike parimishtë dhe ligjërisht do ta realizojnë ekonominë e tyre mbi këto të drejta:
a- taksat e bashkisë = taksa dhe tarifa vendore + taksat e ndara/banorë (totali taksave/tarifave për banorë)
b- të drejtat financiare të bashkisë = transferta qeveritare (sipas formulës) + transferta të kushtëzuara + të ardhura të veta + grante specifike/banorë.
Sipas Instat-it në Shqipëri ka afërsisht 1200 agjensitë/institucione qeveritare dhe jo qeveritare që përbëjnë arkitekturën e shtetit shqiptar nga aspekti i politikave dhe shërbimeve publike dhe adminisitrative. Ajo që bie nëse këtu është fakti se nga 1200 të tilla rreth 900 i përkasin pushtetit qëndror dhe 300 atij vendor (bashki, ndërmarrje publike dhe institucione në varësi të bashkive). Ne nuk kemi qëllim në këtë rast të analizojmë arkitekturën, numri apo marrëdheniet ndërmjet tyre. Por ajo që duam të theksojmë në këtë analizë të arkitekturës është fakti se edhe shtimi me 33 bashki të reja që konsolidojnë mirë qeverisjen vendore, territorin rural, por dhe atë urban, nuk krijonë ngarkesë administrative që shaktojnë lodhje të kësaj arkitekture nga pikëpamja administrative.
Me të drejtë, mund të ngrihet pyetja, cfarë pritet konkretisht nga bashkitë e reja të propozuara?
Sot në një njësi administrative ka një Administrator, i cili ka zëvendësuar kryetarin e zgjedhur, dhe ka punonjës që punojnë sipas detyrave që ka njësia administrative që nuk janë ekzekutive. Sipas të dhënave tona numri i punonjësve në një njësi administrative varion mesatarisht nga 11-17 punonjës. Por ka edhe njësi me një numër më të madh.
Nëse i referohemi të dhënave të mëparshme, numri mesatar i punonjësve në një komunë ishte mesarisht sa është sot në një Njësi Administrative. Por, nuk është ky qëllimë jonë, të krahasojmë të shkuarën, por të analizojmë impaktin nga riorganizimi i ri, i kostove dhe shpenzimeve per personelin.
Studimi ynë që çon në shtimin e 33 bashkive të reja, na çon në disa rezultate mjaft me interes: 33 bashkitë e reja krijohen nga bashkimi i rreth 100 njësive administrative. Në këto 100 njësi janë të punësuar mesatarisht rreth 1700 punonjës, që i kushtojnë buxhetit të shteti paga dhe sigurime. Me riorganizimin e territoreve, cdo bashki do të ketë në strukturën e saj rreth 50 punonjës, të cilët vendosen në strukturat e nevojshme organizative dhe funksionale të bashkisë. Riorganizimi po ashtu zëvëndëson 100 administratorë të emëruar, me 33 kryetarë të zgjedhur. Do të mjaftonte në fakt kjo e dhënë për të kuptuar, që ky riorganizim i shërben demokratizimit, transparencës dhe llogaridhënies së pushtetit lokal.
Pra, krijimi i bashkive të reja në variantin optimal nuk do të ketë kosto shtesë për shpenzime personeli. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që krijimi i strukturave më eficente bashkiake, do të sillte një reduktim të numrit të personelit, cka do të thotë ulje e shpenzimeve për paga dhe sigurime.
Por edhe nëse kërkohet një numër më i madh personeli, dhe ka disa kosto shtesë më të larta operative, sërisht ndikimi i madh që ka ofrimi i pushtetit afër qytetarit, dhe avanazhet e tjera që kemi analizuar më sipër i bëjnë këto kosto të padiskutueshme në ekonomi kombëtare.
Nëse bëjmë një përmbledhje se çfarë presim nga bashkitë e reja konkludojmë se do të kemi:
- Përmirësimi i menaxhimit të territorit të ri vendor më të perqendruar urban dhe rural.
2. Mbrojtja e territorit, veçanërisht me veprimtari për shfrytëzim të pyjeve dhe pasurive të tjera rurale.
3. Menaxhimi i tokës, pyjeve, kullotave;
4. Një menaxhim më i mirë i territorit ne zona rurale dhe qyteza;
5. Territori dhe konfigurimi i ri do të shoqërohet me shumë dinamizëm dhe konkurueshmëri institucionale.
6. Rritja e punësimit të të rinjve, rivitalizim të jetës ne fshatra, ‘amortizim’ i shpopullimit etj.
7. Një dimension i ri i zhvillimit ekonomik rural, duke krijuar një nyje administrative dhe ekonomike, sociale dhe politike.
8. Rritja dhe zhvillimi i demokracisë lokale është një tjetër aspekt pozitiv i riorganizimit territorial. 33 bashki të reja do të kenë 33 kryebashkiakë të zgjedhur dhe në raport me numrin e popullsisë numri i këshilltarëve bashkiakë do të rritet me 507 këshilltarë. Në këtë kuptim, qytetarët e këtyre bashkive do të kenë më shumë vendimmarrje dhe rritet në mënyrë cilësore përfaqësimi i tyre.
Një aspekt i rëndësishëm i propozimit tonë, krahas rritjes së numrit të bashkive me 33 të tilla, është edhe propozimi për rigrupimin e qarqeve, sipas kritereve të afërsisë, traditës historike, përspektivës së zhvillimit ekonomik. Për këtë arsye, ne propozojmë që nga 12 qarqe të kemi 6 qarqe, të cilat garantojnë nivel më të lartë efikasiteti, pajisjen e tyre me më shumë kompetenca të deleguara nga pushteti qëndror, si dhe ndërtimi i strategjive për zhvillimin rajonal. 6 qarqet e propozuara do të jenë si vijon: Shkodër & Lezhë, Dibër & Kukës, Tiranë & Durrës, Elbasan & Korcë, Fier & Berat dhe Vlorë & Gjirokastër.
Ashtu siç kemi analizuar, reforma e vitit 2014 krijoi bashki të tipit Urban-Rural, pra të 61 bashkitë sot janë të tilla, përkundrejt faktit që para reformës bashkitë ishin qartësisht më të ndara. Edhe riorganizimi që ne propozojmë nuk e eleminon këtë asimetri. Pra, bashkitë e reja janë kryesisht me orientim rural.
Nëse bëjmë një ndarje bashki me qytete dhe bashki pa qytete, atëherë projekti i riorganizimit prezantohet i tillë:
• Nga 33 bashki të reja të propozuara, 7 prej tyre kanë ’Qytet’: Bashkia Ishëm -Qytetin Sukth, Bashkia Fushë Krujë-Qytetin Fushë Kruje, Bashkia Levan- qytezën Levan, Bashkia Leskovik- qytetin Leskovik, Bashkia Orosh-qytezën Reps, Bashkia Orikum- qytetin Orikum dhe Bashkia Milot- qytetin Milot. Dhe propozohet që qendra e këtyre bashkive të jenë pikërisht këto qytete.
- Në qarkun Tiranë shtohen 3 bashki të reja nga 5 që ka sot. Në qarkun Fier shtohen 4 Bashki të reja nga 6 që ka sot. Në qarkun Durrës shtohen 2 bashki të reja nga 3 që ka sot. Në qarkun Elbasan shtohen 3 bashki të reja nga 7 që ka sot. Në qarkun Korçë shtohen 5 bashki të reja nga 6 që ka sot. Në qarkun Vlorë shtohen 4 bashki të reja nga 7 që ka sot. Në qarkun Berat shtohet 2 bashki nga 5 që ka sot. Në qarkun Lezhë shtohen 4 bashki të reja nga 3 që ka sot. Në Dibër shtohen 4 bashki të reja nga 4 që ka sot. Në Kukës shtohen 2 bashki të reja nga 3 që ka sot. Në Gjirokastër dhe Shkodër nuk ka ndryshime.
- Nga riorganizimi territorial, Qarku Korçë dhe Vlorë riorganizohen nga pikëpamja territoriale dhe administrative me nga 11 bashki, Qarku Elbasan dhe Fier me nga 10 bashki, Qarku Tiranë dhe Dibër me 8 bashki, Qarqet Gjirokastër, Berat me nga 7 Bashki, ndërsa Qarqet Durrës, Shkodër dhe Kukës me nga 5 bashki.
- Rritja e numrit të bashkive qartësisht ka çuar në uljen e mesatares së popullsisë për njësi të qeverisjes vendore në të 11 qarqet, përveç Qarkut Gjirokastër dhe Shkodër që nuk preken nga riorganizimi. Në këtë qark 2.2% e popullsisë do qeverisen sërisht nga 7 bashki. Ndërsa qarku Dibër që përbën 4,3% të popullsisë kombëtare do të qeveriset nga 7 bashki krahasuar me 4 bashki që ka sot. Në qarkun Tiranë që përfaqëson 31.7% të popullsisë, qytetarët do të qeverisen sipas propozimit të ri nga 8 bashki krahasuar me 5 që ka sot.
- Konfiguracioni i ri i pushtetit vendor plotëson edhe boshllëkun e përfaqësimit. Bashkitë e reja do të kenë trupën e të zgjedhurve me mbi 600 këshilltarë. Numri i popullsisë në këto 33 bashki të reja arrin në afro 870000 banorë (RrGjç) dhe me 450000 me (census). Aktualisht, 43 bashki nga 94 përfaqësohen me nga 21 anëtarë të këshillave bashkiakë. 30 bashki përfaqësohen me 15 anëtarë, 14 bashki përfaqësohen me 31 anëtarë, 4 bashki përfaqësohen me 41 anëtarë, 2 bashki përfaqësohet me 51 anëtarë dhe 1 bashki përfaqësohet me 61 anëtarë.
- Nga analiza e mësipërme na rezulton nga riorganizimi në tërësi, por mbi të gjitha bashkite e reja, që krijimi i këtyre bashkive të reja na siguron trekëndëshin e “artë”. Ky trekëndësh do të thotë që kemi një bazë të mirë përfaqësimi, shërbime lokale më të mira, komunitet me tradita dhe turizëm rural të përmirësuar. Por, për momentin bindemi se pjesa e trekëndëshit që lidhet me përfaqësimin është një argumetim më i fortë se dy pjesët e tjera.
- Përsa i përket pjesës së traditës dhe turizmit, mendimi jonë është se do të ketë një rigjallërim, rivitalizim dhe rritje interesi. Ndërsa, lidhur me shërbimet kërkohet dhe duhet shumë punë dhe mbështetje sidomos në mandatin e parë. Nga ana tjetër, duke bërë bashkë këto tre elemente me diferencimet e tyre, mendojmë që do të sjellin edhe një frenim potencial të shpopullimit si produkt.
Ne perfundim te fjales time deshiroj tju bej me dije keto propozime dhe rekomandime konkrete mbi reformimin dhe konsolidimin e pushtetit vendor në Shqipëri si me poshte:
A: Sistemi territorial. Bazuar në analizën tonë të detajuar më sipër arrijmë në përfundimin se:
- Modeli i pushtetit vendor në Shqipëri duhet të jetë me dy nivele. Me nivelin e parë që përfaqesohet nga bashkitë dhe nivelin e dytë nga rajonet.
2. Shqipëria me 2.8 milion banorë sipas census 2011 dhe 4.5 milione banorë sipas Rregjistrit të Gjëndjes Civile, dhe me një siperfaqe 28.000km2 ka nevojë për një ndarje territoriale adminstrative të nivelit të parë me 94 bashki.
3. Niveli i dytë i pushtetit vendor mund të organizohet me 6 rajone.
B: Sistemi Administrativ.Propozime dhe rekomandime mbi ndryshimet ligjore:
- Ligji i ri për ndarjen territoriale (zëvendësuesi i ligjit 115/2014)
2. Përgatitje e dispozitave ligjore për periudhën tranzitore për bashkitë dhe rajonet.
3. Strategji e re për decentralizmin dhe ushtrimi për decentralizimin asimetrik.
4. Azhornimi i ligjit për vetëqeverisjen vendore (139/2015) me funksionet e reja për të dy nivelet e pushtetit vendor.
5. Mbështetje dhe autonomi financiare dhe me çdo instrument bashkitë dhe rajonet.
6. Bashkisë së kryeqytetit duhet ti jepet status i veçantë me ligj
7. Ligj për referendumet lokale
Të Nderuar Kolegë,
Të Dashur qytetarë,
Ju lutem, më lejoni në vijim që të prezantoj konkretisht propozimet tona për 33 bashkitë e reja:
Lista e bashkive të propozuara nga PD.
Nr. Qarku Bashkitë e reja BASHKITE EKZISTUESE Numri i bashkive dhe popullsia në bazë qarku
1 Berat 1-Bashkia Shpirag (Sinjë, Velabisht dhe Terpan (Polican)
2-Bashkia Otllak (Otllak, Roshnik-Lumas)
1. BERAT
2. KUCOVE
3. DIMAL
4. SKRAPAR
5. POLICAN Në Qarkun Berat propozojmë të shtohen
2 (dy) njësi vendore nga (5) që ka sot. 126.294 banorë/4.5% e popullsisë
2 Dibër 3- Bashkia Maqellarë- (Maqellarë)
4- Bashkia Kastriot- (Kastriot, Fushë Cidhen, Sllovë dhe Kalaja e Dodës)
5- Bashkia Lurë-(Lurë, Arrëz, Zall Dardhë dhe Rec)
6- Bashkia Shupenzë (Shupenzë, Gjoricë Ostren, Trebishtë)
1. DIBER
2. BULQIZE
3. MAT
4. KLOS Në qarkun Dibër propozojmë të shtohen
4 (katër) njësi të reja vendore nga (4) që ka sot.
119.963 banorë/4.3% e popullsisë
3 Durrës 7-Bashkia Ishëm- (Sukth, Ishëm, Manëz)
8- Bashkia Fushë Krujë (Bupq dhe Nikël) 1. DURRES
2. SHIJAK
3. KRUJE Në Qarkun Durrës propozojmë të shtohet
2 (dy) njësi të reja vendore nga (3) që ka sot.
289.877 banorë /10.3% e popullsisë
4 Elbasan 9-Bashkia Shpat (Shushicë, Gjinar, Zavalinë, Tregan, Gjergjan)
10- Bashkia Bradashesh (Papër, Bradashesh, Funar, Gracen, Labinot Mal dhe Labinot Fushë)
11-Bashkia Lunik (Lunik, Orenjë, Steblevë) 1. ELBASAN
2. CERRIK
3. BELSH
4. PEQIN
5. GRAMSH
6. LIBRAZHD
7. PRRENJAS. Në Qarkun Elbasan propozojmë të shtohen
3 (tre) njësi të reja vendore nga (7) që ka sot.
276.765 banore/9.9% e popullsisë
5 Fier 12-Bashkia Levan- (Levan, Frakull, Cakran)
13-Bashkia Dushk- (Dushk i Madh, Ballgat, Golem, Hysgjokaj, Karbunarë)
14- Bashkia Ardenicë- (Kolonjë, Bubullimë, Fier Shegan, Allkaj dhe Krutje)
15-Bashkia Fratar-(Fratar, Selitë, Greshicë, Hekal dhe Kutë) 1. FIER
2. PATOS
3. ROSKOVEC
4. LUSHNJE
5. DIVJAKE
6. MALLAKASTER Në Qarkun Fier propozojmë të shtohen 4(katër) njësi të reja vendore nga (6) që ka sot.
296.466 banorë/10.6 % e popullsisë
6 Korçë 16- Bashkia Voskopojë-(Voskopojë, Voskop dhe Lekas)
17- Bashkia Leskovik- (Leskovik, Bermash, Qendër Leskovik)
18-Bashkia Drenovë- (Drenovë- Molla- Vithkuq,)
19-Bashkia Pojan-(Pojan-Bulgarec)
20-Bashkia Starove (Bucimes-Cerrave-Trebinje-Dardhas) 1. KORCE
2. MALIQ
3. PUSTEC
4. KOLONJE
5. DEVOLL
6. POGRADEC Në Qarkun Korcë propozojmë të shtohen
5(pesë) njësi të reja vendore nga (6) që ka sot.
209.034 banore/7.5% e popullsisë.
7 Kukës 21-Bashkia Shishtavec- (Shishtavec, Zapod dhe Topojan)
22-Bashkia Bicaj- (Bicaj, Bushtricë, Ujmisht, Kalis dhe Grykë Cajë) 1. KUKES
1. 2-HAS
2. 3-TROPOJE Në Qarkun Kukës propozojmë të shtohen
2 (dy) njësi të reja vendore nga (3) që ka sot.
76.994 banore/2.7% e popullsisë.
8- Lezhë. 23-Bashkia Bregu i Matit- (Shënkoll, Zejman dhe fshati Barbullojë e re)
24-Bashkia Orosh- (Orosh, Fan)
25-Bashkia Zadrimë-(Balldre, Dajc, Kallmet dhe Blinisht dhe Ungrej)
26-Bashkia Milot-(Milot dhe Fush Kuqe) 1. LEZHE
2. MIRDITE
3. KURBIN Në Qarkun Lezhë propozojmë të shtohen
4 (katër) njësi të reja vendore nga (3) qe ka sot.
125.998 banore/4.5% e popullsisë.
9 Shkodër 1. SHKODER
2. MALSI E MADHE
3. VAU DEJES
4. PUKE
5. FUSHE ARREZ. Në Qarkun Shkodër nuk propozohen të shtohen njësi të reja vendore nga (5) që ka sot.
203.945 banorë/7.3 % e popullsisë
10 Tiranë 27-Bashkia Fark- (Farkë, Petrelë, Baldushk, Bërzhitë, Krrabë)
28- Bashkia Kashar-(Kashar, Ndroq, Pezë, Vaqarr)
29 Bashkia Dajt (Dajt, Shëngjergj, Zall Bastar dhe Zall Herr) 1. TIRANE
2. KAMEZ
3. VORE
4. KAVAJE
5. RROGOZHINE Ne Qarkun Tiranë propozojmë të shtohen 3(tre) njësi të reja vendore nga (5) që ka sot.
889.578 banore/31.7 % e popullsisë
11 Vlorë. 30- Bashkia Kotë (Kotë, Brataj dhe Sevaster)
31-Bashkia Novoselë (Novoselë dhe Shushicë)
32-Orikumi-sic ka qënë para ndarjes territoriale në 2015.
33-Ksamil (ish komuna) 1. VLORE
2. SELENICE
3. HIMARE
4. SARANDE
5. KONISPOL
6. FINIQ
7. DELVINE Në Qarkun Vlorë propozojmë të shtohen 4(kater) njësi të reja vendore nga (7) qe ka sot.
26.294 banorë/4.5% e popullsisë
12 Gjirokastër 1. Gjirokastër
2. Libohove
3. Tepelene
4. Memaliaj
5. Permet
6. Kelcyre
7. Dropull. Në qarkun Gjirokastër nuk ka propozim për ndryshim. Qarku ka 7 bashki.
Ka një popullsi prej 62.000 banorë 2.2% e popullsisë
Totali 33 bashki te reja 61 bashki ekzistuese 94 Njësi të Qeverisjes Vendore
Të Nderuar Kolegë,
Të Dashur Qytetarë,
Duke ju falënderuar për vëmendjen në këtë prezantim të përmbledhur të propozimit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për reformën administrativo-territoriale, dëshiroj t’ju siguroj që personalisht si bashkëkryetare e këtij komisioni, nga fillimi i punës deri më sot jam udhëhequr vetëm nga interesi qytetar për një pushtet lokal më pranë, më cilësor, më eficent, më përfaqësues dhe më demokratik. Si unë, jam e bindur që kanë vepruar edhe kolegët e mi të Partisë Demokratike, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për bashkëpunimin.
Reformat në tërësinë e tyre, e vecanërisht reforma për ndarjen administrativo-territoriale, nuk bëhen për kryetarët, as për politikanët apo partitë politike, as për opozitën e as për mazhorancën, por për qytetarët dhe për t’iu shërbyer interesave të tyre. Në këtë kuptim, jam e lumtur që iu ofrojmë qytetarëve dhe Parlamentit shqiptar këtë propozim, që jam besimplotë se reflekton më së miri interesin më të lartë qytetar. Unë do ta votoj pro këtë propozim me bindje të plotë. Si unë edhe kolegët e mi të Grupit Parlamentar të PD-së. Shpresoj shumë që të njëjtën gjë do të bëjnë edhe kolegët nga forcat e tjera politike opozitare në rradhë të parë, por edhe kolegët e mazhorancës.
-si një detyrim të qartë ndaj qytetarëve që i kanë votëbesuar dhe përfaqsojnë në këtë sallë. Faleminderit.