Joe Biden ‘e humbi durimin’ kur presidenti ukrainas Vladimir Zelensky i kërkoi atij më shumë ndihmë ushtarake menjëherë pasi Presidenti i SHBA-së e informoi atë se Uashingtoni do e ndihmonte me 1 miliard dollarë, raportoi të hënën NBC News.
Biden foli me Zelenskyn me telefon në qershor, me presidentin amerikan që informoi homologun e tij ukrainas se ai kishte miratuar një paketë ndihme ushtarake prej 1 miliard dollarësh për Kievin, raportoi media amerikane.
Biden kishte nënshkruar një paketë gjigande ndihme ekonomike dhe ushtarake prej 40 miliardë dollarësh vetëm disa javë më parë, duke e çuar totalin e ndarë për Ukrainën nga administrata e tij në afro 55 miliardë dollarë në atë kohë.
“Biden e humbi durimin.” – thanë burimet e Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se marrëdhëniet mes dy presidentëve janë përmirësuar që atëherë.
Pavarësisht ashpërsisë së dukshme mes të dyve, Biden u zotua më vonë gjatë verës se do t’i mbante të hapura furnizimet e armëve për Ukrainën ‘për aq kohë sa duhet’ dhe ka dërguar armë gjithnjë e më të rënda dhe më të përparuara në Ukrainë.