Vendosni fjalën kyçe....

Biden u bën thirrje kompanive të naftës dhe gazit: Ndalni përfitimet nga lufta


Presidenti i SHBA-ve Joe Biden u bëri thirrje të hënën kompanive të naftës dhe gazit që të përdorin fitimet e tyre rekord për të ulur kostot për amerikanët dhe për të rritur prodhimin, ose të paguajnë një normë më të lartë taksash, pasi vendi po lufton me çmimet e larta.

Një deklaratë që vjen me afrimin e zgjedhjeve afatmesme të 8 nëntorit.

Sipas Reuters, presidenti Joe Biden ka akuzuar kompanitë e naftës për “përfitim lufte” pasi ai ngriti mundësinë e vendosjes së një takse të papritur nëse kompanitë nuk nxisin prodhimin vendas.

Pak më shumë se një javë larg zgjedhjeve, Biden kritikoi kompanitë e mëdha të naftës për fitime rekord ndërsa refuzuan të ndihmojnë në uljen e çmimeve për popullin amerikan. Presidenti tha se do të kërkonte nga Kongresi për të vendosur gjoba tatimore për kompanitë e naftës nëse ato nuk fillojnë të investojnë disa nga fitimet e tyre në uljen e kostove për konsumatorët amerikanë.

“Ekipi im do të punojë me Kongresin për të parë këto opsione që janë në dispozicion për ne dhe të tjerët.”- tha Biden. “Është koha që këto kompani të ndalojnë përfitimet e luftës, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në këtë vend dhe t’i japin popullit amerikan një pushim dhe të bëjnë akoma shumë mirë.”

Gjatë dy tremujorëve të fundit, sipas medieve kompanitë ExxonMobil, Chevron, Shell, BP, ConocoPhillips dhe TotalEnergy fituan mbi 100 miliardë dollarë më shumë se sa fituan gjatë gjithë vitit të kaluar, dhe më shumë se dy herë e gjysmë sesa fituan në të njëjtët tremujorë të vitit 2021.

“Fitimet rekord të kompanive të naftës sot nuk janë për shkak të bërjes së diçkaje të re apo inovative.”– tha Biden. “Fitimet e tyre janë një fitim i papritur i luftës, një fitim i papritur për konfliktin brutal që po shkatërron Ukrainën dhe po dëmton dhjetëra miliona njerëz në mbarë globin.”

Çmimet e larta kanë përkeqësuar inflacionin dhe kanë ndikuar në pozitën e Bidenit dhe demokratëve mes votuesve.