Vendosni fjalën kyçe....

Kanadaja do të investojë në energjinë bërthamore


Banka e Infrastrukturës së Kanadasë (CIB) ka arritur një marrëveshje me një kompani të madhe për të siguruar 970 milionë dollarë për të financuar ndërtimin e reaktorit të parë të vogël bërthamor të vendit (SMR). Njoftimi u bë nga ministri i Burimeve Natyrore Jonathan Wilkinson të martën.

“Ne po e bëjmë këtë sepse energjia bërthamore, si një burim energjie që nuk emeton ndotje, është jetike për arritjen e synimeve klimatike të Kanadasë dhe botës.”

“Energjia bërthamore është një burim që mund të ndihmojë në arritjen e objektivave tona klimatike duke adresuar kërkesën në rritje në të ardhmen.” – tha Wilkinson për marrëveshjen, siç citohet nga Reuters.

Kanadaja synon të zvogëlojë emetimet e gazeve serrë në zero deri në vitin 2050 dhe e sheh teknologjinë SMR si një pjesë kyçe të këtij qëllimi.

Financimi për projektin do vijë në formën e një kredie me interes të ulët nga CIB, e cila do shkojë drejt punës përgatitore, duke përfshirë hartimin e projektit dhe përgatitjen e vendit, shtoi Wilkinson.

Vetë reaktori do projektohet nga GE Hitachi Nuclear Energy dhe pritet të furnizojë me energji elektrike rreth 300,000 shtëpi, sipas Ontario Poëer Generation, marrësi i kredisë për projektin. Ajo thotë se pret që projekti të përfundojë deri në vitin 2030, ndërsa përgatitja e vendit do të fillojë më vonë këtë vit.

SMR-të janë reaktorë bërthamorë që janë më të vegjël se termocentralet tradicionale bërthamore. Ndryshe nga kjo e fundit, SMR-të mund të ndërtohen në fabrika dhe më pas të transportohen për t’u montuar në një vend me madhësinë e dy fushave të futbollit.

Megjithatë, madhësia e këtyre reaktorëve nuk e zvogëlon efikasitetin e tyre. Çdo SMR thuhet se është në gjendje të prodhojë energji të mjaftueshme për të furnizuar me energji rreth një milion shtëpi, njësoj siç prodhohet nga 150 turbina me erë në tokë.