Vendosni fjalën kyçe....

Kërkohet nga Turqia për mashtrim 2 miliardë dollarë me kriptomonedhat, shtyhet seanca ndaj shtetasit turk


Është shtyrë seanca ndaj biznesmenit turk Fatih Ozer, i cili akuzohet se ka përfituar mbi 2 miliardë dollarë përmes mashtrimit me kriptomonedhat.

Ai kërkohet nga Turqia e gjykata pritet të vendosë për ekstradimin e tij. Seanca u shty pasi prokurori solli prova të tjera e avokati mbrojtës kërkoi më shumë kohë për t’u njohur me materialet.

“U parashtruan disa kërkesa procedurale nga ana ime. Ne insistojmë që në ngarkim të shtetasit që unë përfaqësoj të zhvillohet një proces i rregullt gjyqësor. Nuk mundet që në seanca ekstradimi të ketë ngut. Nuk e kuptoj pse është tërë ky ngut nga ana e Gjykatës. Ne për këtë punë jemi këtu, të garantojmë interesat e ligjshme të shtetasve.” – tha avokati Skënderi.

Ozer u arrestua më 30 gusht 2022. Ai është themelues i një platforme online për këmbimin e kriptovalutave, Thodex, mbylli papritur veprimtarinë, në prill të vitit të kaluar, pasi kishte grumbulluar një shumë prej 2 miliardë dollarësh nga 391 mijë investitorë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ‘Interpol Ankara’, ndërsa Gjykata e Lartë kishte lëshuar ndaj tij një urdhërarrest.