Më shumë se 20 milionë amerikanë kanë votuar në mungesë ose personalisht përpara zgjedhjeve afatmesme të vitit 2022.
Rreth 12.5 milionë kanë votuar me postë ndërsa gati 8 milionë kanë votuar personalisht, tregojnë të dhënat nga Projekti Zgjedhor i Universitetit të Floridës. Projekti përmbledh të dhënat e votimit për shtetet që raportojnë votimin e hershëm
Florida, Kalifornia, Georgia e Teksasi kryesojnë listën me më shumë se 2 milionë vota secila. Një numër shtetesh javën e kaluar hapën fazën e tyre të votimit të hershëm, ndërsa shteti i Nju Jorkut dhe Nju Xhersi filluan fazat e tyre të hershme të votimit të shtunën.
Michael Bitzer, një profesor në Kolegjin Cataëba në Karolinën e Veriut, i cili u përshkrua si ekspert për sa u përket modeleve të votimit të hershëm, i tha Politico-s të shtunën se pjesëmarrja më e madhe e votave të parakohshme nuk pasqyron ndryshim në elektorat.
“Shumica dërrmuese e këtyre votuesve të hershëm janë votues tipikë të hershëm, që votojnë personalisht ose me postë.” – tha Bitzer.
Demokratët kanë mbajtur të dy dhomat e Kongresit dhe presidencën për dy vitet e fundit. Republikanët janë të favorizuar për të fituar Kongresin në zgjedhjet afatmesme të 8 nëntorit, të mbështetur nga zhgënjimi i publikut mbi ekonominë.
Disa gara në shtetet kryesore të fushëbetejës janë të ngushta dhe udhëheqësi i pakicës së Senatit, republikani Mitch McConnell deklaroi në fillim të vitit se mundësitë që partia e tij të fitojë shumicën janë 50 me 50.