Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Kushi: Do ketë provim shtesë për maturantët që duan të studiojnë për mjekësi


Ministrja e Arsimit Evis Kushi thotë se duke nisur nga viti i ardhshëm, maturantët që duan të studiojnë degën e Mjekësisë së Përgjithshme në universitet do t’i nënshtrohen një testimi shtesë.

Ky testim do të jepet në formë elektronike.

Ajo deklaroi se kjo do të rrisë më tepër meritokracinë dhe transparencën, ndërkohë që theksoi se testimi do të bëhet në mënyrë elektronike.

“Kemi vendosur që për provimet e maturës në programin mjekësi e përgjithshme maturantët të kemi edhe një provim shtesë i cili rrit edhe më shumë meritokracinë dhe transparencën. Do të jetë një provim në QSHA, si provimet e licencave, krejtësisht i automatizuar ku testi korrigjohet menjëherë. Ku edhe rreziku i gabimit, edhe koha edhe shpenzimet e administrimit do të jetë më i ulët. Kjo do të pilotohet me programin mjekësi e përgjithshme që është program më i kërkuar dhe ndërkohë kemi qëllim ta shtrijmë edhe për provimet e tjera të maturës.”- u shpreh Kushi gjatë fjalës së saj në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Po ashtu ministrja tha se do të shkurtohet koha e praktikës mësimore për të diplomuarit për mësuesi, para se ata të marrin licencën për të ushtruar më pas profesionin. Nga një vit kjo kohë shkurtohet në tre muaj.