Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit francezë përleshen me policinë për objektet e ujit


Mijëra aktivistë francezë marshuan kundër vendosjes së rezervuarëve gjigantë të ujit për përdorim bujqësor në pjesën perëndimore të vendit në fundjavë, pavarësisht një ndalimi zyrtar, duke rezultuar në përleshje me policinë dhe dhjetëra të plagosur.

Sipas grupit aktivist ‘Bassines Non Merci’, më shumë se 7,000 njerëz u mblodhën për të protestuar kundër ndërtimit të ‘depove të mëdha’ të ujit në fshatin Sainte-Soline në departamentin Deux-Sevres, përpara se disa prej tyre të arrinin të depërtonin në kantierin e ndërtimit.

Rreth 1,500 oficerë policie u përpoqën të ndalojnë protestuesit duke çuar në përleshje mes aktivistëve dhe forcave të rendit. Sipas ministrit të Brendshëm Gerald Darmanin, 61 oficerë u plagosën, 22 prej tyre në gjendje të rëndë.

“Ky numër tregon se nuk ishte një demonstratë paqësore, por një tubim shumë i dhunshëm.” – tha ai.

Ndërkohë, protestuesit raportuan se rreth 30 qytetarë ishin plagosur nga ndërhyrja e policisë. Rezerva e ujit është pjesë e projektit të organizuar nga fermerët francezë për të pakësuar ndjeshëm përdorimin e ujit të rrjetit gjatë verës. Megjithatë, kundërshtarët e kanë përshkruar projektin si një ‘grabitje uji’ nga ‘industria bujqësore’.

Ata argumentuan gjithashtu se kjo mund t’i privojë komunitetet vendase nga pasja e ujit, një shqetësim që bazohet te thatësira e pazakontë që goditi Francën këtë verë.