Presidenti Vladimir Putin ka thënë se Rusia po pezullon përkohësisht pjesëmarrjen e saj në një marrëveshje të madhe që lejon kalimin e sigurt për anijet që transportojnë eksportet e grurit ukrainas.
Moska u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga OKB të shtunën, duke pretenduar se Ukraina kishte përdorur një korridor sigurie në Detin e Zi për të sulmuar flotën e saj.
Por siç shkruan BBC, OKB thotë se nuk kishte anije brenda korridorit atë natë.
Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se marrëveshja do të respektohej dhe akuzoi Rusinë se po “shantazhonte botën me uri”, një pretendim që Rusia e mohon.
Pavarësisht nga pasojat, tre anije të ngarkuara me grurë u larguan nga portet e Ukrainës të martën, tha qendra e koordinimit e udhëhequr nga OKB.
“Lëvizja e këtyre anijeve është rënë dakord nga delegacionet ukrainase, turke dhe të OKB-së… Delegacioni rus është informuar.“- tha qendra me bazë në Stamboll për agjencinë e lajmeve AFP.
Të hënën, 12 anije që përmbanin 354 mijë e 500 ton ushqim, përfshirë drithë, lundruan nga Ukraina. Ky përbënte një vëllim rekord të eksporteve që nga fillimi i marrëveshjes së grurit, tha një zëdhënës i administratës ushtarake të Odesa-s i cituar nga Reuters.
Një nga anijet që transportonte 40 mijë tonë drithë ishte e destinuar për në Etiopi, ku ekzistonte “mundësia reale e urisë masive”.
Pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, marina e saj vendosi një bllokadë në portet e Detit të Zi të Ukrainës, duke bllokuar rreth 20 milionë ton drithë të destinuar për eksport brenda vendit, së bashku me produkte të tjera ushqimore si misri dhe vaji i lulediellit. Por në korrik, një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë u ndërmjetësua nga Turqia dhe OKB, duke rënë dakord për të rifilluar eksportet e grurit përmes porteve të Detit të Zi.