Ushtarët e forcave speciale afgane që luftuan krah trupave amerikane gjatë dy dekadave konflikti në Afganistan, po rekrutohen tashmë nga ushtria ruse për të luftuar në Ukrainë. Pas tërheqjes kaotike të SHBA-ve nga Afganistani vitin e kaluar, ish-komandot u zhvendosën në Iran. Lajmi u bë i ditur nga tre ish-gjeneralë afganë për agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’.
Sipas gjeneralëve afganë, rusët po kërkojnë që të bëjnë pjesë të një legjioni të huaj me mijëra ish-komando elitare afgane. Ata po u ofrojnë atyre pagesa të rregullta mujore, prej 1500 dollarësh, si dhe po u premtojnë strehim të sigurt, për veten dhe familjet e tyre, gjë që do të shmangte deportimin e tyre në atdhe e për pasojë vdekjen e sigurt në duart e talebanëve, gjë që shumë njerëz mendojnë se është e pritshme, shkruan VOA.
“Ata nuk duan të shkojnë të luftojnë, por nuk kanë zgjidhje tjetër“, tha një prej gjeneralëve, Abdul Raof Arghandiwal, duke shtuar se rreth 12 komando në Iran, me të cilët ai ka shkëmbyer mesazhe, i druhen dëbimit. “Ata më thonë: Na jep një zgjidhje, çfarë duhet të bëjmë? Nëse kthehemi në Afganistan, talebanët do të na vrasin“.
Gjenerali Arghandiwal tha se rekrutimi udhëhiqet nga forca mercenare ruse ‘Wagner Group’. Një tjetër gjeneral, Hibatullah Alizai, i cili udhëhiqte ushtrinë afgane përpara se talebanët të merrnin pushtetin, tha se Moska po ndihmohet në këto përpjekje edhe nga një ish-komandant i forcave speciale afgane, i cili jeton në Rusi dhe flet rusisht.
Kjo lëvizje e Moskës vjen pas disa muaj paralajmërimesh nga ushtarët amerikanë që luftuan krah forcave speciale afgane, sipas së cilëve, talebanët kishin për qëllim t’i vrisnin ata dhe se këta të fundit (komandot afgane), për të shmangur vdekjen apo nisur nga zemërimi me ish-aleatin e tyre (SHBA-të), mund t’u bashkoheshin armiqve të Uashingtonit.
Një raport i muajit gusht i ligjvënësve republikanë paralajmëronte në mënyrë të qartë mbi rrezikun që komandot afgane, të trajnuar nga forcat e Marinës amerikane dhe Beretat e Gjelbërta të ushtrisë, mund të shkonin deri aty sa t’i jepnin informacione në lidhje me taktikat e SHBA-ve, grupit të Shtetit Islamik, Iranit ose Rusisë, ose të luftonin për ta.
“Ne nuk i nxorëm këta persona (nga vendi) ashtu siç premtuam dhe tani ato gabime do na përndjekin“, tha Michael Mulroy, një oficer në pension i CIA-s që ka shërbyer në Afganistan, duke shtuar se komandot afganë janë luftëtarë shumë të aftë e të ashpër. “Nuk do doja t’i shihja në asnjë fushëbeteje, dhe sigurisht jo duke luftuar kundër ukrainasve”.
Megjithatë zoti Mulroy u shpreh skeptik nëse rusët do t’ia dilnin t’i bindin shumë prej komandove afganë që t’u bashkoheshin. Sipas tij, pjesa më e madhe e atyre që ai njihte, po punonin për një demokraci funksionale në vendin e tyre, dhe jo të rekrutoheshin si vrasës me pagesë.
‘AP’ po investigonte rreth rekrutimit të komandove afgane kur javën e kaluar u njoftuan për herë të parë detajet mbi këtë përpjekje nga revista ‘Foreign Policy’, bazuar në burime të paidentifikuara të ushtrisë dhe sigurisë afgane. Rekrutimi vjen mes tronditjes që kanë pësuar forcat ruse për shkak të përparimit ushtarak ukrainas në fushëbetejë e ndërsa presidenti rus Vladimir Putin po zbaton një politikë të ashpër për mobilizimin e trupave, e cila ka detyruar rreth 200 mijë shtetas rusë të largohen nga vendi, për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Një zëdhënës i Yevgeny Prigozhinit, i cili kohët e fundit pranoi se ishte themeluesi i grupit ‘Wagner’, hodhi poshtë pohimet për një përpjekje të vazhdueshme për të rekrutuar ish-ushtarë afganë, duke e quajtur “marrëzi të pakuptimtë”.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes gjithashtu nuk iu përgjigj një kërkese për koment, por një zyrtar i lartë sugjeroi se rekrutimi, nuk ishte diçka befasuese, duke pasur parasysh sipas tij se grupi ‘Wagner’ është përpjekur të rekrutojë ushtarë në disa vende të tjera.
Mbetet e paqartë se sa pjesëtarë të forcave speciale afgane të cilët u larguan drejt Iranit janë kontaktuar nga rusët, por njëri prej tyre i tha agjencisë ‘AP’ se po komunikonte përmes shërbimit ‘WhatsApp’ me rreth 400 komando të tjerë që po shqyrtojnë ofertat.
Ai tha se shumë prej tyre, sikurse edhe ai vete, i druhen dëbimit (nga Irani) dhe janë të zemëruar me SHBA-të që i kanë braktisur.
“Ne menduam se mund të krijonin një program të veçantë, por askush nuk mendoi për ne“, tha ish-komando, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të rrezikut që i kanoset atij dhe familjes së tij. “Ata na lanë të gjithëve në duart e talebanëve”, shtoi ai.
Ish-komando tha se atij i ishin ofruar viza ruse për të, si dhe për të tre fëmijët e bashkëshorten e tij, të cilët ndodhen ende në Afganistan.
Të tjerëve u është ofruar zgjatja e afatit të vizës për qëndrim në Iran. Ai tha se po pret të shohë se çfarë do te vendosin të tjerët, të cilët janë pjesë e grupit të krijuar në WhatsApp, po shtoi se sipas tij shumë (ish-komando) do ta pranojnë ofertën.
Rreth 20 deri 30 mijë forca speciale afgane luftuan me amerikanët gjatë dy dekadave luftë, por vetëm disa qindra oficerë të lartë u morën me vete kur ushtria amerikane u tërhoq nga Afganistani. Për shkak se shumë nga komandot afganë nuk punonin drejtpërdrejt për ushtrinë amerikane, ata nuk gëzonin të drejtën për t’u pajisur me viza speciale amerikane.
“Ishin ata që luftuan deri në minutën e fundit. Dhe ata kurrë, kurrë, kurrë nuk folën me talebanët. Ata kurrë nuk negociuan me ta“, tha ish-shefi i ushtrisë afgane Alizai. “Lënia e tyre pas është gabimi më i madh”.