Vendosni fjalën kyçe....

Bordi i Transparencës ul përsëri me 4 lekë çmimin e naftës, por rrit po aq benzinën


Ulet përsëri me 4 lekë çmimi i naftës. Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve, është mbledhur për të dytën ditë me radhë për të përcaktuar çmimet e reja të karburanteve në vend.

Në këtë mbledhje u vendos që nafta nga 236 që ishte dje, të shitet në 232 lekë për litër.

Por nga ana tjetër është rritur po me katër lekë çmimi i benzinës, i cili nga 208 lekë që ishte do të shitet me 212 lekë për litër.

Gazi mbetet po 74 lekë.

Njoftimi i Bordit të Transparencës:

Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 2 Nëntor 2022 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.

Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 1.11.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 961, + 32 nga data 31.10.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 1057, – 31 nga data 31.10.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar një rritje të lehtë në 119.27 (+0.02 nga data 31.10.2022).

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 232 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 220 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 212 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 200 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 74 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 62 lekë/litër për automjetet.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 2 Nëntor, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.