Vendosni fjalën kyçe....

Rama akuzon Top Channel për shantazh mediatik: I kërkoi 120 milionë lekë AZHBR-së


Kryeministri Rama, i cili ka bërë disa deklarata ndaj Top Channel së fundmi, e ka akuzuar këtë të fundit për shantazh mediatik.

Ai ka publikuar sot një foto në Twitter  ku shkruan se media i ka kërkuar 120 milionë lekë AZHBR-së për të bërë reklama lidhur me projektet e institucionit në fjalë në mbarë vendin.

Ai shkruan se kërkesa e Top Channel nuk mund të plotësohej nga AZHBR- ja dhe më pas media nisi sulmin ndaj qeverisë.

Ja për shembull se si funksionon shantazhi mediatik.Kërkohen 120mln lek nga AZHBR për t’u treguar shqiparëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale. AZHBR s’e plotëson dot kërkesën e shpjeguar në shumë faqe se si e qysh tërë dynjaja do shohë shqip/anglisht suksesin e saj!  – shkruan Rama në Twitter.

Pas postimit të parë ai ka postuar edhe një foto të shkëputur nga emisioni Indise Story në Top Channel ku kritikohej qeveria se ka ‘gllabëruar paratë e bujqësisë’.

Emisioni u shfaq mbrëmjen e djeshme në TCH e aty u trajtua mënyra që sipas medias janë shpenzuar fondet e IPARD për bujqësinë në Shqipëri.

Atëherë pllaka kthehet përmbys dhe dynjasë i jepet një emision i tërë me gllabërim parash të bujqësisë, një fabrikim nga fillimi në fund me gjysëm të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, e ngjashme si dy pika uji me një fabrikim nga i njëjti kanal për Rilindjen Urbane…” – shton Rama.

Javët e fundit Top Channel nisi një seri kronikash e lajmesh që godisnin qeverinë lidhur me largimin masiv të shqiptarëve, të efektivëve nga Policia e Shtetit dhe agjentëve të SHISH-it nga agjencia. Pas kësaj kreu i qeverisë iu përgjigj medias në fjalë duke e akuzuar atë si gjobaxhie dhe se vepron kundër qeverisë pasi kërkon favore të paligjshme.

“700 mijë shqiptarë kanë ikur 12 vitet e fundit”-“7 punonjës në ditë ikin nga policia”-”Tre vite pas tërmetit s’kanë shtëpi”. Këta janë tituj lajmesh të rreme në ekrane private kombëtare që kanë një mision: Dizinformim e nxitje kundër qeverisë! Arsyeja? Duan favore të paligjshme!” – shkruante Rama pak ditë më parë.