Kanadaja planifikon të pranojë 500 mijë emigrantë në vitin 2025 për të siguruar prosperitetin ekonomik të vendit, deklaroi ministri kanadez i Emigracionit, Sean Fraser.
Kjo tejkalon shifrën prej 465 mijë emigrantë që Kanadaja do të mirëpresë vitin e ardhshëm dhe shumë më tepër se 400 mijë që mbërritën vitin e kaluar.
Fraser tha se emigrantët janë të nevojshëm për të plotësuar vendet e lira të punës. Aktualisht, sipas zyrtarëve, janë rreth një milion vende të lira pune në Kanada, ku popullsia po plaket.
Një numër i konsiderueshëm i këtyre emigrantëve nevojitet të kenë shkathtësi ose të kenë përvojë që të kryejnë këto punë të lira.
Këshilli i Biznesit i Kanadasë (BCC) ishte i pajtimit se nivelet e emigracionit në kategorinë ekonomike janë të nevojshme për të ruajtur një standard të mirë jetese për kanadezët.
“Çdo vend pune që nuk plotësohet përfaqëson një person më pak që kontribuon në rritjen ekonomike të Kanadasë dhe një person më pak që paguan taksa për të mbështetur infrastrukturën sociale të Kanadasë”, deklaroi presidenti dhe shefi ekzekutiv i BCC, Goldy Hyder.
Sipas agjencisë kombëtare të lajmeve të Kanadasë, Canadian Press, emigrantët aktualisht përbëjnë rreth 23 për qind të 38 milionë banorëve të Kanadasë.