Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati Bogdani: Mirel Mërtirin e kam takuar rastësisht nëpër forumet ekonomike


Kandidati për bashkinë e Tiranës, Gerti Bogdani ka folur në një program televiziv lidhur me foton e famshme ku shfaqet krah biznesmenit Mirel Mërtiri, të shpallur në kërkim nga SPAK për aferën e inceneratorëve.

Në programin “Çim Peka Live”, gazetarja Ambrozia Meta e pyeti atë se çfarë e lidh me biznesmenin Mërtiri dhe cila ka qenë arsyeja e vizitës së tij në Zimbabve.

Bogdani u përgjigj se nuk ka asnjë lidhje ekonomike me Mërtirin, por se thjesht ka marrë pjesë në një forum ekonomik ku i pranishëm rastësisht ka rezultuar edhe ai.

“Asgjë më tepër seç e lidh me çdo biznesmen dhe funksionarë që kam takuar, kam foto nëpër botë, jo vetëm në Zimbabve por vende të ndryshme të botës, kur kam marrë pjesë në vizita forumesh ekonomike për shkëmbime biznesi, eksplorime mundësisht me biznesmenë nga Izraeli, Spanja, Polonia, Austria, Gjermania dhe Shqipëria.

Pak por e sigurt, që të jeni të sigurt ju dhe publiku shqiptar, asnjë lidhje ekonomike dhe interes ekonomik. Gjë që është e qartë nga gjithë ai hetim i SPAK-ut, nga gjithë ai hetim që është nga Komisioni Hetimor Parlamentar me qindra-mijëra faqe hetim, ku emri im nuk përmendet dhe nuk do të përmendet sepse nuk ka asnjë interes ekonomik.

Dhe ua thash, vendimi i parë si kryetar i bashkisë Tiranë do të jetë pikërisht anulimi i atij urdhri abuziv të Erion Veliajt. Dhe uroj që SPAK-u ta çojë deri në fund atë hetim dhe përgjegjësit të jenë para drejtësisë.”– tha Bogdani. 

Ai tha se vendimi i parë që do marrë nëse zgjidhet si kryetar bashkie, lidhur me menaxhimin e mjeteve, do jetë pikërisht anulimi i urdhrit për depozitimin e mbetjeve të ngurta nga ndërtimi i firmave dhe i individëve tek landfilli i Sharrës.

Për aferën e inceneratorëve Bogdani tha se “është një megaaferë korruptive, unë në gjithë jetën time e kam dënuar dhe vazhdoj ta dënoj korrupsionin”.