Karikimi i një makine elektrike në Itali do kushtojë 161% më shumë se një vit më parë për shkak të kostove më të larta të energjisë elektrike, raportoi javën e kaluar portali i konsumatorëve Facile.it.
“Për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, në disa raste, karikimi i një makine elektrike është më i shtrenjtë se blerja e naftës. Dhe nëse nuk jeni duke e karikuar mjetin në shtëpi, por në një stacion publikë, çmimet do ishin edhe më të larta.” – thuhet në raport.
Ekspertët kanë llogaritur se kostoja e mëparshme e karikimit të një makine elektrike në vend ishte 50-70% më e ulët se sa për karburantin e modeleve me benzinë ose naftë. Tani, një bateri e plotë e një ‘makine jeshile’ mund të kushtojë më shumë se një rezervuar plot karburant.
Sipas Autoritetit Rregullativ Italian për Energjinë, Rrjetet dhe Mjedisin (ARERA), në tremujorin e tretë të vitit 2022, i ashtuquajturi çmim i unifikuar kombëtar i energjisë elektrike është rritur me gati katër herë krahasuar me tremujorin e parë. Për këtë arsye rregullatori ka marrë masa shtesë për të frenuar rritjen e mëtejshme të çmimeve të energjisë. Në përgjithësi një familje mesatare italiane pritet të shpenzojë mesatarisht 1,322 euro për energji elektrike në vit, ndërsa në vitin 2021 shpenzimi mesatar ishte 632 euro.
Tarifat e energjisë elektrike në Itali panë rritje rekord muajin e kaluar, duke tejkaluar 136% bazën vjetore, sipas një studimi të Unionit Kombëtar të Konsumatorëve.