Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë për zgjatjen edhe për një vit të mandatit të misionit paqeruajtës dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian në Bosnjë e Hercegovinë.
Rezoluta u miratua më 2 nëntor me vota unanime.
I njohur si EUFOR Althea, misioni përbëhet nga rreth 1.100 ushtarë nga 20 shtete që janë dislokuar në Bosnje që nga viti 2004, dhe mandati i këtij misioni është zgjatur çdo vit.
Këtë vit, këtij misioni i skadonte mandati më 3 nëntor.
Përfaqësuesi i lartë në Bosnjë, Christian Schmidt, tha në raportimin e tij se EUFOR Althea, vazhdon të luajë rol vital në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Bosnjë dhe prezenca e tij është ende e nevojshme.
Ambasadorja franceze në OKB, Natalie Broadhurst, tha se prezenca e komunitetit ndërkombëtar në Bosnje është thelbësore për stabilitetin e shtetit dhe të rajonit.
Ajo shtoi se autoritetet në Bosnje duhet të tregojnë vullnet për dialog dhe përfshirje në zbatimin e reformave. Sipas saj, Franca mbështet integrimin evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
EUFOR-i është pjesërisht i ngarkuar me sigurimin e rendit civil dhe respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit së bashku me përfaqësuesin e lartë, Christian Schmidt.