Vendosni fjalën kyçe....

Protesta kundër ndryshimit të ligjit për Presidentin në Malin e Zi


Grupe qytetarësh u hodhën të mërkurën në protesta para parlamentit të Malit të Zi, duke kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për presidentin, që synojnë kufizimin e përgjegjësive kushtetuese të presidenti aktual Milo Gjukanoviç dhe kalimin e tyre te parlamenti.

Ndryshimet u hodhën në votim dhe u miratuan nga 41 deputetët e Frontit Demokratik pro-rus, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare Ura.

Protestuesit mbanin parulla si “Stop dhunës institucionale”; “Agjencia Ruse Jashtë”; “Jo grushtit të shtetit”, ndërsa thanë se partitë politike ndahen në ato që janë për Malin e Zi dhe ato që janë kundër tij dhe se ndryshimet e miratuara rrezikojnë fatin politik, shtetëror dhe kombëtar të Malit të Zi, shkruan VOA.

Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Draginja Vuksanoviç Stankoviç, e cila iu bashkua protestës tha se është e padëgjuar në praktikën juridike që një akt më i ulët të ndryshojë një akt më të lartë.

“Pas gjithë kësaj qëndron (Aleksandar) Vuçiçi dhe politika zyrtare e Beogradit, qëllimi i të cilit është që Mali i Zi të mos hyjë në Bashkimin Evropian por në Ballkanin e Mbyllur”, theksoi ajo.

Një grup qytetarësh nga Cetina që po marrin pjesë në këto protesta, vlerësojnë se ka ndryshim të dhunshëm dhe të kundërligjshëm të kushtetutës dhe nëpërkëmbjes të rendit kushtetues me qëllim të rrëzimit të autoriteteve më të larta shtetërore .

“Ne po mblidhemi për të treguar se jemi këtu, se nuk do t’u dorëzohemi trashëgimtarëve të ideologjisë më të errët që është trashëgimi e përdhunimeve, vrasjeve, torturave dhe krimeve të tjera jo vetëm në të gjithë rajonin por edhe në Mal të Zi”, tha një protestues nga Cetina.

Ndryshimet e miratuara të të martën vonë, parashohin që nëse presidenti i vendit nuk propozon mandatar për formimin e qeverisë atëherë mandatin e merr një kandidat që ka mbështetjen e qartë të shumicës së deputetëve. Kjo do t’i mundësonte kandidatit me shumicë të ngushtë prej 41 deputetësh, Miodrag Lekiç, të formojë qeverinë e re malazeze.

Me 20 shtator presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, refuzoi propozimin që Miodrag Lekiç, kandidat i partive që miratuan ndryshimet e së martës, të jetë mandatari i ri për formimin e qeverisë, ndërsa hodhi propozimin që të shkurtohet mandati i parlamentit aktual, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja.

Partitë opozitare thanë se ndryshimet e përfshira në ligj paraqesin shkelje të Kushtetutës së Malit të Zi.

Mali i Zi është me qeveri teknike që nga muaji gusht kur parlamenti miratoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq, pak pasi ai nënshkroi një marrëveshje të diskutueshme me Kishën Ortodokse Serbe.

Marrëveshja nxiti përplasje brenda koalicionit qeverisës që në fillim. Një pjesë e partive qeverisëse, theksuan se marrëveshja është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet malazeze