Vendosni fjalën kyçe....

Rama reagon pas lajmeve në mediat britanike për emigrantët shqiptarë: Veproni si Gjermania, jo me retorikë krimi


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmeve në mediat britanike për emigrantët shqiptarë. Rama thotë se Shqipëria është gati për të punuar më afër me Mbretërinë e Bashkuar, por faktet janë vendimtare, ashtu si respekti i ndërsjellë.

Ai ka një sugjerim për Britaninë e Madhe që të veprojë si Gjermania kur përballet me problemin e emigracionit të paligjshëm dhe jo të përgjigjet me një retorikë krimi që sipas tij përfundon duke dënuar të pafajshmit.

“Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe ka qenë për një kohë shumë të gjatë viktimë e perandorive, ne nuk kemi pasur kurrë tonën. Ne kemi për detyrë të luftojmë krimin në shtëpi dhe po e bëjmë këtë me vendosmëri, pasi bashkëpunojmë ngushtë edhe me të tjerët. Gati për të punuar më afër me Mbretërinë e Bashkuar, por faktet janë vendimtare. Kështu është edhe respekti i ndërsjellë.

Shqipëria është një vend i NATO-s dhe po negocion anëtarësimin e saj në BE. Është gjithashtu një vend i sigurt origjine. Kur Gjermania pati një problem të ngjashëm, ajo shtrëngoi sistemet e veta. Britania e Madhe mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, duke mos u përgjigjur me një retorikë krimi që përfundon duke dënuar të pafajshmit.
70% e 140,000 shqiptarëve që janë shpërngulur në MB jetonin në Itali dhe Greqi. 1200 prej tyre janë njerëz të biznesit. Shqiptarët në Britaninë e Madhe punojnë shumë dhe paguajnë taksa. Britania e Madhe duhet të luftojë bandat e krimit të të gjitha kombësive dhe të ndalojë diskriminimin e shqiptarëve për të justifikuar dështimet e politikave.
Vënia në shënjestër e shqiptarëve (siç bënë disa me turp kur luftuan për Brexit) si shkaku i krimit të Britanisë dhe problemeve kufitare e bën retorikën e lehtë, por injoron faktet e vështira. Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri (Pyesni Ajnshtajnin!).”- shkruan Rama.