Vendosni fjalën kyçe....

SHBA i kërkon BE-së të trajtojë Kinën njësoj si Rusinë – Bloomberg


Zyrtarët amerikanë po diskutojnë me aleatët evropianë mundësinë e shtrëngimit të kufizimeve të eksportit në tregtinë me Kinën, sipas Bloomberg, duke cituar persona të njohur me këtë çështje.

Shtëpia e Bardhë po i kërkon BE-së të zbatojë ndaj Kinës qasjen që po përdoret tani kundër Rusisë, me të njëjtin shkëmbim të informacionit transatlantik dhe bashkërednimit të zbatimit të masave, sipas burimeve që kërkuan të mbeten anonime.

Kjo vjen ndërsa zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së po diskutojnë axhendën për forumin e tyre të ardhshëm tregtar të nivelit të lartë, të planifikuar për në fillim të dhjetorit.

Brukseli thuhet se nuk është i prirur ta trajtojë Kinën në të njëjtën mënyrë si Rusia, thanë burimet, duke shtuar se zyrtarët e BE-së i shohin rrethanat si të ndryshme.

Disa vende anëtare të BE thuhet se janë të kujdesshëm ndaj përpjekjeve të Uashingtonit për ta kthyer forumin e dhjetorit në një mbledhje kundër Kinës dhe në vend të kësaj parapëlqejnë të përqendrohen në një axhendë pozitive dypalëshe. Megjithatë, mund të ketë vend për kufizime për mallrat që mund të përdoren nga Pekini për të rritur aftësinë e tij ushtarake, shtuan burimet.

Është ende e paqartë nëse çështja do ngrihet kur Përfaqësuesja e Tregtisë e SHBA Katherine Tai të takohet me ministrat e Tregtisë së BE-së, të cilët janë në Pragë për një takim jozyrtar, të hënën.