Vendosni fjalën kyçe....

SHBA: Koreja e Veriut po furnizon me armë Rusinë


Shtetet e Bashkuara kanë informacione se Koreja e Veriut po furnizon në mënyrë të fshehtë Rusinë me një numër të konsiderueshëm predhash artilerie për të mbështetur luftën e saj në Ukrainë, tha të mërkurën zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby.

Zoti Kirby tha në një konferencë virtuale se Koreja e Veriut po përpiqej t’i niste dërgesat në fshehtësi, duke i kaluar ato fillimisht nëpër vende në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

“Ne e kemi një ide se ku do i transferojnë këto predha”, tha zoti Kirby, duke mos dhënë më shumë detaje, por shtoi se Uashingtoni do të konsultohej me Kombet e Bashkuara për llogaridhënie mbi këto dërgesa, raporton VOA.

Zoti Kirby tha se sasia e predhave nuk është e vogël, por nuk kishte gjasa të ndryshonte rrjedhën e luftës në fushëbetejë. Megjithatë, ato mund të jenë vdekjeprurëse për ukrainasit, tha ai.

Zëdhënësi i Këshillit t ë Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë tha se dërgesat ishin një shenjë jo vetëm e gatishmërisë së Phenianit për të mbështetur Rusinë, por edhe tregues se Moska ka mungesë municionesh, si rezultat i sanksioneve të udhëhequra nga SHBA-të dhe kontrolli ndaj eksporteve.

Në shtator, Koreja e Veriut tha se nuk kishte furnizuar kurrë me armë ose municione Rusinë dhe nuk kishte në plan ta bënte këtë gjë në të ardhmen. Pheniani gjithashtu paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të “mbajnë gojën mbyllur” e të ndalin përhapjen e thashethemeve që synojnë “njollosjen” e imazhit të vendit, sikurse u shprehën zyrtarë të Koresë së Veriut.

Duke iu referuar lëshimeve të raketave nga Koreja e Veriut të mërkurën, Zoti Kirby tha se ato nuk përbënin një kërcënim të menjëhershëm për personelin amerikan në rajon dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara do të sigurohen që të kenë forca në gjendje gatishmërie për të mbrojtur aleatët e tyre.

Koreja e Veriut lëshoi të mërkurën të paktën 23 raketa në det, mes tyre njëra që ra më pak se 60 km nga brigjet e Koresë së Jugut, një zhvillim që presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol e cilësoi si “shkelje territoriale”.

Kjo shënoi herën e parë që një raketë balistike bie kaq pranë ujërave të Koresë së Jugut që nga ndarja e gadishullit në vitin 1945 dhe gjithashtu numrin më të madh të raketave të lëshuara nga Pheniani në një ditë të vetme. Seuli lëshoi paralajmërime për sulme ajrore, një zhvillim ky i rrallë, si dhe u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa.