Vendosni fjalën kyçe....

Atentat me armë ndaj ish-kryeministrit të Pakistanit, Imran Khan (VIDEO)


Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është qëlluar me armë gjatë një proteste. Sipas Reuters, ai është qëlluar me plumb në këmbë ndërsa mbante një fjalim para mbështetësve të tij në një tubim në Wazirabad.

Khan u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes nga njerëzit e tij të sigurisë ndërsa në rrjet u publikuan pamjet e tij me këmbë të plagosur. Disa njerëz të tjerë thuhet se gjithashtu kanë mbetur të plagosur.

Sipas Boston Globe, kanë mbetur të plagosur 8 persona, ndërsa një mbështetës i kryeministrit ka humbur jetën.

Autori i armatosur thuhet se u arrestua menjëherë në vendngjarje. Policia më vonë publikoi një video të tijën në paraburgim, ku ai pranon se ka qëlluar me armë në protestë dhe pretendon se ka vepruar i vetëm.

“Vetëm Imran Khan ishte objektivi im.”- citohet të ketë thënë i dyshuari, i identifikuar si Faisal Butt nga Ministrja e Informacionit Maryam Aurangzeb. 

Në rrjetet sociale qarkullojnë pamjet e një njeriu që ndaloi sulmuesin duke i marrë armën nga dora. Ai po konsiderohet si hero.

Sulmi ngriti shqetësime të reja rreth rritjes së paqëndrueshmërisë politike në Pakistan. Ish-kryeministri Khan ka bërë presion për zgjedhje të reja që pasi u rrëzua nga pushteti në muajin prill. Ai ka mbajtur fjalime të zjarrta në tubime në të gjithë vendin, duke bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme në vend, duke nxitur për ndryshime radikale.