Britania e Madhe duket se ka zbutur qëndrimin e ashpër ndaj Shqipërisë lidhur me çështjen e emigrantëve.
Pas kritikave që kryeministri Edi Rama bëri në një intervistë për BBC, Zyra e kryeministrit britanik Rishi Sunak, thotë se Mbretëria e Bashkuar i është mirënjohëse për punën e bërë të të trajtuar fenomenin.
“Ne kemi një marrëdhënie të fortë me partnerët tanë shqiptarë. Ne jemi mirënjohës për bashkëpunimin e qeverisë shqiptare dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar për të punuar së bashku me ta.”– u tha gazetarëve një zëdhënëse e kryeministrit Sunak sipas Reuters.
Ajo shtoi: “Ne duam të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi me partnerët ndërkombëtarë për të thyer modelin e biznesit të kontrabandistëve të njerëzve dhe i jemi mirënjohës Shqipërisë për punën e tyre me ne për këtë.”
Kryeministri Edi Rama tha në një intervistë për BBC-në se shqiptarët po akuzohen pa të drejtë nga autoritetet britanike për emigracionin e paligjshëm, për të justifikuar politikat e veta “të dështuara”.
Pas këtyre komenteve të Ramës, ish-ministri i Arsimit dhe Zyrës së Kabinetit, Brendan Clarke-Smith komentoi për DailyMail: “Unë nuk mendoj se është ksenofobike të duash një sistem të fortë, por të drejtë për emigrimin”.