Vendosni fjalën kyçe....

Dhunimi i së moshuarës në azil, prokuroria e Pejës nis hetimet, dyshon për raste të tjera


Prokuroria e Pejës ka nisur hetimet pas videos së publikuar ditën e djeshme ku një e moshuar dhunohej nga punonjësja e azilit ndërsa dy koleget e saj filmuan ngjarjen dhe qeshnin ndërkohë. Sipas prokurorit Dorian Juniku, po hetohet pasi dyshohet për raste të tjera dhune në azilin në fjalë.

“Jemi në fazën fillestare hetimore, që në fund të kompletojmë rastin dhe të kemi një pasqyre të qartë se çfarë ka ndodhur, nuk do të ndalemi deri sa të sqarohet i gjithë rasti. Është autorizuar policia, që të vazhdojë edhe të personelit, por edhe të tjerëve që janë vendosur aty. Kemi dyshime që këto raste mund të kenë ndodhur edhe më herët.” – ka thënë ai mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Debat Plus’ në RTV Dukagjini.

Videoja tejet e rëndë u publikua ditën e djeshme e në të tregohej punonjësja e Shtëpisë së të Moshuarve Aurona Pelaj teksa dhunonte një të moshuar. Ajo është arrestuar ndërsa në pranga kanë rënë edhe dy persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk dihet ende. Videoja nxiti reagime masive në rrjetet sociale e media.