Vendosni fjalën kyçe....

Gazi në Frakull, pas marrëveshjes me qeverinë, EDG aplikon për lejet mjedisore


Kompania EDG Natural Gas sh.p.k, e cila në mes të këtij viti nënshkroi një kontratë me qeverinë shqiptare, ka vijuar me aplikimet për sigurimin e lejeve të nevojshme që i mundësojnë nisjen e punës në terren. Në 9 qershor 2022 qeveria përmes një vendimi miratoi marrëveshjen e nënshkruar mes Albpetrol dhe EDG me ndarje prodhimi për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror Frakull.

Sipas dokumenteve, EDG ka marrë në dorëzim 3 puse ekzistues, Frakulla-19, Frakulla-109 dhe Frakulla-36b të cilët ndodhen në vendburimin Frakull, brenda zonës së projektit siç përcaktohet në Marrëveshjen Hidrokarbure. Këta puse, hapja e të cilëve daton që nga fillimi i viteve ’70, janë shfrytëzuar në periudha të ndryshme dhe aktualisht janë në gjendje të mbyllur.

“Projekti konsiston në rehabilitimin e puseve ekzistuese të marrë në dorëzim dhe shpimin e një pusi të ri vlerësues të emërtuar Frakulla-115 (Fr-115) në pjesën veriore të vendburimit ku janë kryer shpime të kufizuara të cilat kanë treguar potencial të pashfrytëzuar. I projektuar 235m në jugperëndim të pusit FR18, i cili ka prodhuar 8 milion m³ gaz, dhe 335 m në veriperëndim të Fr-30 që ka prodhuar ~ 22.6 milion m3 gaz, qëllimi kryesor i shpimit është të verifikojë praninë e formacioneve të reja ranore gazmbajtëse ose shtrirjen e e shtresave të kapura me puset FR-18 dhe Fr-30. Thellësia e parashikuar e shpimit të ri është 1500-1700m, përafërsisht e njëjtë me atë të puseve ekzistues. Më tej projekti parashikon vlerësimin e rezervave ekonomike dhe kalimin në fazën e prodhimit” thuhet në përmbledhjen jo teknike të kompanisë.

Të dhënat zyrtare të Albpetrol tregojnë se fushat e Povelçës dhe Frakullës janë ndër më të rëndësishmet në vend nga pesë në total, të identifikuara për shfrytëzim gazi.

Sipas një vlerësimi të llogaritur vetëm pak vite më parë nga kompania publike e prodhimit dhe nxjerrjes së naftës, rezerva më e madhe e gazit mendohet se është në Frakull, me mbi 352 Nm³ (Nm³ nënkupton sasinë e Gazit Natyror, e cila, kur është absolutisht e thatë, në temperaturën zero gradë Celsius (0° C) dhe në një presion absolut prej një dhjetore zero, një, tre, dy, pesë (1,01325) bar, zë një vëllim prej një (1) metër kub). Ndërkohë, së bashku me rezervën e llogaritur të gazit në Povelçë prej 298 milionë Nm³, totali vlerësohet në 650 milionë Nm³ në këto dy fusha.

EDG Natural Gas zotërohet në 90% të saj nga ENERGY DEVELOPMENT GROUP me kuotat që zotëtohen nga sipërmarrësi Sokol Meqemeja teksa 10% janë në zotërim të IMPACTO COMMUNICATIONS me aksionere të vetme Rezarta Bytyçi./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor