Vendosni fjalën kyçe....

I dënuar në Itali për vrasje, arrestohet Ilir Paja, në 2017 u lirua nga Gjykata e Krujës


Policia ka arrestuar Ilir Pajën, 49-vjeçarin nga Tirana i cili është dënuar nga Gjykata e Apelit në Milano për vrasje dhe disa krime të tjera.

Paja u arrestua në zonën e Laprakës me qëllim ekstradimin e tij.

Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Njësia Speciale “Fast Albania”, bazuar dhe në inteligjencën informative, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dangerous”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Italisë i shtetasit Ilir Paja, 49 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person shumë i kërkuar nga autoritetet Italiane pasi Gjykata e Apelit Milano/Itali, e ka dënuar me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje, kryer në bashkëpunim dhe rrëmbim personi.

Lokalizimi dhe kapja e 49-vjeçarit u bë në Laprakë nga Njësia Speciale “Fast Albania”, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë.

Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët italianë vijon punën për plotësimin e dokumentacionit me qëllim ekstradimin e 49-vjeçarit drejt Italisë”-njofton policia.

Një dekadë më parë, Ilir Paja mori nofkën “Ufo” nga policia italiane. Shkak u bënë dy arratisjet spektakolare të tij nga burgje të sigurisë së lartë në vendin fqinj. Më 9 nëntor 2017, Paja u largua nga burgu i “Fushë Krujës”, por jo sipas stilit që e bëri të famshëm. Pas më gati 10 vitesh burgimi ai u lirua nga qelia në zbatim të një vendimi gjykate.