Vendosni fjalën kyçe....

Këshilli i Sigurimit i OKB-së voton kundër hetimit të laboratorëve biologjikë amerikanë në Ukrainë


Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka hedhur poshtë thirrjen e Rusisë për një hetim ndërkombëtar mbi pretendimet se SHBA-ja përdorte biolaboratorë në Ukrainë për të zhvilluar armë biologjike.

Ndërsa Kina mbështeti propozimin e Rusisë, SHBA-ja, Britania e Franca votuan kundër, ndërsa dhjetë anëtarët e këshillit të rradhës abstenuan.

Rusia këmbëngul se SHBA-ja dhe Ukraina kanë shkelur konventën ndërkombëtare të vitit 1972 që ndalon zhvillimin, prodhimin dhe grumbullimin e armëve biologjike. Sipas Moskës, disa laboratorë në Ukrainë po punonin në një program sekret ‘ushtarako-biologjik’, i cili përfshinte studime dhe grumbullimin e mostrave të antraksit, kolerës dhe sëmundjeve të tjera infektive.

Uashingtoni dhe Kievi mohojnë të dy zhvillimin e armëve biologjike. Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky tha në mars se laboratorët po kryenin ‘kërkime të zakonshme shkencore’.

Gjatë votimit në Këshillin e Sigurimit të mërkurën, e dërguara e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield, argumentoi se propozimi rus për një hetim ‘bazohet në dezinformim, pandershmëri, keqbesim dhe mungesë totale respekti për këtë organ’.

Thomas-Greenfield përsëriti se aktivitetet nën programin e Pentagonit për Reduktimin e Kërcënimeve Bashkëpunuese (CTR) në Ukrainë dhe shtete të tjera ish-sovjetike ‘nuk janë për qëllime ushtarake’.

Misioni i SHBA-së pranë Organizatave Ndërkombëtare në Gjenevë, Zvicër tha në prill se qëllimi i CTR-së në Ukrainë ishte të ndihmonte vendin ‘të forconte e siguronte patogjenët dhe të vazhdonte të siguronte që Ukraina të mund të zbulonte dhe raportonte shpërthimet e sëmundjeve përpara se ato të paraqesin kërcënime për sigurinë ose stabilitetin’.

Dmitry Polyansky, zëvendës i dërguari i Rusisë në OKB, ndërkohë, tha se ishte ‘thellësisht i zhgënjyer’ nga votimi. Ai tha se ‘vendet perëndimore thjesht kanë frikë’ nga një hetim ndërkombëtar për këtë çështje.