Kryeministri Edi Rama njoftoi se Shqipëria ka marrë kryesimin e Procesit të Berlinit dhe se më 6 dhjetor do organizohet në Tiranë Samiti i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor.
Kryetari i qeverisë gjithashtu shpreh dhe një lutje për shqiptarët që komunikojnë me botën të mos e shajnë atë në gjuhë të huaj.
“Sot Shqipërisë iu dha me propozim të kancelarit Scholz, kryesimi i Procesit të Berlinit dhe organizimi në Tiranë i Samitit të ardhshëm. Më 6 dhjetor në Shqipëri do të mbahet i pari Samit i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor në rajonin tonë. Këto ngjarje të mëdha ndërkombëtare të pandodhura kurrë më parë në Shqipëri, të paimagjinueshme deri disa kohë më parë për t’iu besuar një qeverie të Shqipërisë, janë domethënëse për shkallën e respektit që Shqipëria ka fituar ndërkombëtarisht. Ne mbetemi një vend i vogël, me hallet e problemet tona që duan kohën, durimin e punën tonë për t’u zgjidhur, por ne sot kemi fituar respekt duke u dhënë të gjithëve respekt, por edhe duke kërkuar respekt nga të gjithë. Lutem çdo ditë që të gjithë ne, shqiptarët, në radhë të parë ata që komunikojnë me botën, politikanë, gazetarë, artistë, sportistë e të tjerë, ta mësojmë nga popuj të tjerë pa humbur akoma kohë të pafundme, se Shqipëria është shtëpia jonë, që nuk shahet kurrë në gjuhë të huaj, por vetëm mbrohet e promovohet për njëmijë e një të mirat e saj. Ndërsa për të metat e mangësitë, dëmtimet e riparimet që ka nevojë, na del e tepron ta bëjmë në shqipen tonë të bukur dhe të pasur”-shkruan Rama.