Vendosni fjalën kyçe....

Scholz: Bashkë me Francën po shtyjmë Kosovën dhe Serbinë drejt marrëveshjes


Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka konfirmuar se ekziston plani franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sa u përket Kosovës dhe Serbisë, atje duhet të gjendet një mirëkuptim. Ne dhe Qeveria franceze jemi duke u munduar që ta bëjmë të arritshme, të realizueshme dhe shpresoj që shumë shpejt të kemi një proces ku të dy qeveritë do të ecin përpara dhe do të arrijnë një marrëveshje”, tha Scholz gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas samitit të Procesit të Berlinit.

Scholz nuk dha detaje të këtij plani, për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e kanë konfirmuar se kanë njohuri.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar të japë detaje mbi planin franko-gjerman, duke insistuar se “është respekt ndaj ndërmjetësit të ruhet konfidencialiteti i bisedimeve konkrete”.

Por, ai tha se do të pranojë çfarëdo propozimi që bazohet në “vlera evropiane dhe demokratike” dhe që nuk cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Sa i përket marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti insistoi që Kosova do të pranojë një marrëveshje të tillë vetëm nëse përfshihet njohja reciproke mes dy vendeve.

“Është herët të themi tani se çfarë do të përmbajë ajo në fund. Marrëveshja e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë finale, duhet të jetë për normalizimin të plotë, duhet të jetë ligjërisht e obligueshme dhe patjetër ta ketë njohjen reciproke në qendër”, tha Kurti.