Asnjë personel sigurie nuk ishte i pranishëm në rezidencën Pelosi kur një burrë dyshohet se hyri në 28 tetor dhe sulmoi Paul Pelosi, bashkëshortin e kryetares së Kongresit, demokrates Nancy Pelosi me një çekiç, tha prokurori i San Franciskos më 31 tetor.
“Nuk kishte asnjë siguri.” – u tha gazetarëve prokurorja e përkohshme e rrethit, Brooke Jenkins gjatë një konference për shtyp, teksa njoftoi akuzat ndaj autorit të dyshuar David DePape për krime që përfshijnë tentativë vrasjeje.
DePape, 42 vjeç, ishte në gjendje të thyente dritaren e derës së xhamit në pjesën e pasme të rezidencës Pelosi në San Francisko dhe të futej me forcë brenda, tha Jenkins. Ai më pas u ngjit lart në dhomën e gjumit, ku po flinte Paul Pelosi, sipas autoriteteve.
Pelosi, 82 vjeç, u zgjua nga DePape, i cili pyeti se ku ishte Nancy Pelosi. Kur iu tha se ajo nuk ishte aty, ai tha se do e priste. Paul Pelosi kërkoi të përdorte banjën, sipas Jenkins dhe ndërsa ishte brenda thirri 911. Oficerët e policisë mbërritën brenda dy minutash nga telefonata, tha Jenkins.
Oficerët trokitën në derë, megjithatë, personi që ia hapi atë policisë mbetet i paqartë. Një deklaratë e FBI-së thoshte se ishte Pelosi, por Jenkins tha se autoritetet nuk e dinë se cili prej burrave hapi derën.
DePape më vonë u tha oficerëve se ai synonte të rrëmbente kryetaren e Kongresit dhe ta merrte në pyetje, sipas deklaratës nën betim. Nëse ajo nuk do thoshte të vërtetën, ai tha se do t’i thyente kapakët e gjurit.
Oficerët e policisë së San Franciskos aktualisht po ruajnë rezidencën Pelosi, tha Scott. Një zëdhënës i familjes Pelosit nuk iu përgjigj kërkesave për koment në lidhje me mungesën e sigurisë në rezidencë. Nancy Pelosi dhe burri i saj, Paul Pelosi, kanë një pasuri të kombinuar prej rreth 344 milionë dollarësh.