Vendosni fjalën kyçe....

Takimi me homologët e Ballkanit Perëndimor, Rrumbullaku: Mburoja kibernetike shtetërore nuk mund të përmbushet vetëm


Këtë të enjte u mbajt takimi strategjik i krerëve të policive të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Serbisë dhe Italisë, përfituese nga projekti IPA 2019.

Në qendër të diskutimit ishin rëndësia primare që ka aktualisht, ngritja dhe forcimi maksimal i sigurisë kibernetike dhe përdorimi efikas i përvojës dhe i mësimeve, të nxjerra nga rastet e mëparshme kur agjenci të ndryshme publike, ranë pre e sulmeve kibernetike.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike, njëkohësisht Drejtor Qendror i Policisë Kriminale të Italisë, Prefekti Vittorio Rizzi tha: “Vlera e shtuar e këtij projekti është shkëmbimi i përvojave, në çaste të tilla, shumë të rëndësishme për sigurinë e shteteve tona, kur përjetimi dhe përballimi i sfidave të tilla të ashpra, si sulmet kibernetike, kanë qenë tërësisht të përbashkëta. Ky projekt përbën gjithashtu, një nxitje për reflektim të thellë institucional, për rreziqet që na kanosen në të ardhmen dhe potencialet e kapacitetet tona, të bashkuara, për t’i luftuar dhe për t’i mposhtur ato.”

Në këtë forum ndërkombëtar morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues të lartë të Policisë shqiptare dhe asaj italiane, përfaqësues të policive të vendeve të rajonit, ekspertë të mbrojtjes e të menaxhimit të të dhënave dhe të sigurisë kibernetike.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku gjatë fjalës së tij tha se mburoja kibernetike shtetërore nuk është një objektiv i cili mund të përmbushet vetëm.

“Takimi i sotëm është i një rëndësie strategjike, pasi veprimtaritë e institucioneve që ne përfaqësojmë zhvillohen në kohën e dixhitalizimit dhe për rrjedhojë edhe nën kërcënimin e fenomeneve të ndryshme kriminale kibernetike, të cilat kanë tashmë përmasa të mirëfillta globale dhe na vënë përballë sfidave të reja.

Policia e Shtetit po bashkëpunon si në nivel teknik ashtu dhe në atë hetimor, me institucione dhe agjenci të zbatimit të ligjit, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me Europol-in dhe Interpol-in. Gjithashtu, po bashkëpunojmë me shoqëritë e shërbimit të internetit, kompanitë ndërkombëtare që administrojnë rrjetet sociale dhe me Microsoft-in.

Bashkëpunimi i ngushtë me partnerët tanë në të gjitha aspektet e sigurisë së mburojës kibernetike kombëtare, me qëllim garantimin e sigurisë, si dhe mbështetja e njëri-tjetrit në çdo sfidë me të cilën përballemi, për të arritur një zgjidhje të shpejtë, janë thelbësore dhe të domosdoshme. Çdo ditë e vetme e mungesës së këtij bashkëpunimi mund të jetë jashtëzakonisht e kushtueshme, përsa i përket mbrojtjes së sigurisë aktuale, por dhe të asaj në të ardhmen, në mënyrë që të jetë plotësisht në përputhje me protokollet e sigurisë, si dhe funksionale në vazhdimësi.

Të nderuar pjesëmarrës,

Mburoja kibernetike shtetërore nuk është një objektiv i cili mund të përmbushet vetëm. Krimet e kësaj natyre nuk kanë nacionalitet, por janë të kudondodhura, të menjëherëshme dhe gjithnjë e më shumë agresive e më të përparuara, andaj është përgjegjësia jonë e përbashkët që të marrim mësime nga ngjarjet e mëparshme, të jëmi vigjilentë e të përgatitur që identiteti, prona dhe puna, të cilat ua kemi besuar tashmë platformave online, të jenë të pacënuara dhe të mbrojtura.

Faleminderit për vëmendjen dhe ju uroj qëndrim të këndshëm në vendin tonë.”– tha Rrumbullaku.

Të pranishmit u dakordësuan rreth rëndësisë thelbësore që kanë bashkëpunimi ndërshtetëror, trajnimet e vazhdueshme, koherente dhe maksimizimi i teknologjisë, në luftën e përbashkët kundër krimeve kibernetike.

Sipas tyre është domosdoshmëri përqëndrimi dhe shumëfishimi i të gjitha kapaciteteve njerëzore dhe logjistike, në drejtim të luftës ndaj krimeve kibernetike.

Hapësirat virtuale janë ‘territore’ të përbashkëta, ku vigjilenca, forca parandaluese dhe ajo ndëshkuese mund të “bëhen pengesë e depërtimit të fenomeneve kriminale kibernetike, vetëm nëse janë të bashkërenduara dhe të menjëhershme.”