Kreu i PD-së ka akuzuar kryeministrin Rama se kërkon të ndërhyjë e të manipulojë procesin gjyqësor për statutin e PD-së.
Ai e bëri deklaratën gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në selinë blu ku foli edhe për protestën e 12 nëntorit, duke i bërë thirrje kreut të qeverisë që mos i provokojë qytetarët.
“Se cili është skenari i protestës, do shpaloset gjatë protestës. Ne i qëndrojmë parimeve të protestave brenda spektrit të mosbindjes civile, që është e pranueshme në manualet e protestave demokratike. Ka një frymë urrejtje e revolte të papërmbajtur. Njerëzit me padurim po presin datën 12. Njerëzit thonë pse po vonohet kjo. Një situatë inkandeshente, më mirë se kushdo tjetër e ndjen Edi Rama që shkon e struket në strofulla. Ramës i kujtoj që ka pasur edhe 20 shkurt e mos e provoko popullin demokrat, kaq i them. Fitorja e opozitës është, duket. Fitorja është e sigurt. E ndoqët debatin mbrëmë, krahasoni atë tjetrin me këta të tre që u paraqitën. Është si të krahasosh natën me ditën.” – tha Berisha.
Berisha u ndal edhe te mbyllja e RTV Orës, të cilën e konsideroi në kundërshtim flagrant të ligjit duke paralajmëruar se çështja mund të ndodhë si në rastin e Agon Tv dhe se gjobën për të do duhet ta paguajnë qytetarët.
“Duke mbështetur pa asnjë hezitim çdo përpjekje për zbatimin e ligjit, unë u them shqiptarëve se nga të dhënat që kam deri tani, kjo që po ndodh në RTV Ora, është absolutisht në kundërshtim flagrant me ligjin. Ajo që është shqetësuese për mua është se kemi të bëjmë me një media. Shqetësimi i dytë i madh është se kemi të bëjmë me një proces që mund të na çojë si Agon Channel. Nëse ju kujtohet, Edi Rama lëshoi një lumë akuzash ndaj Françesko Beketit për larje parash. Ndërkohë Beketi fitoi një gjobë të jashtëzakonshme. Mund të paguajmë ndonjë 100 milionë euro edhe për këtë TV, e cila siç më thonë burime të besueshme, nuk ka atë bilanc që ia falsifikon Edi Rama me gjyqtarët e tij. Harrojnë se ai bilanc shkon në Strasburg, shkon në arbitrazhe dhe merr një ndëshkim të ri për një njeri që nuk kontrollon vetveten.”