Vendosni fjalën kyçe....

Britania shpall rritjen më të madhe të normës së interesit që nga viti 1989


Banka e Anglisë njoftoi të enjten rritjen më të madhe të normës së interesit në më shumë se tre dekada. Norma bazë u rrit me tre të katërtat e një pikë përqindjeje në një lëvizje për të frenuar inflacionin.

Banka Qendrore bëri rritjen e saj të tetë të normës së interesit në më pak se një vit, duke e ngritur normën e saj bazë në 3%, më e larta që nga nëntori 2008. Masa vjen pasi rregullatori parashikoi një recesion ‘të zgjatur’ për ekonominë britanike, për të cilin tha se mund të ishte tkurrja më e gjatë në historinë modern e që nuk pritet të rikupohet deri në vitin 2024.

Ky është takimi i parë i Bankës së Anglisë që nga dorëheqja e kryeministres Liz Truss, i cili krijoi një periudhë turbulence financiare. Por ndërkohë që politikat ekonomike të ish-kryeministres tani po rishikohen, rritja e kostove të ushqimit dhe energjisë po i mban çmimet të larta.

Norma vjetore e inflacionit u rrit në 10.1% në shtator, duke u rikthyer në nivelin më të lartë të 40 viteve në korrik dhe pesë herë objektivin e Bankës Qendrore.

Zyrtarët e bankës kanë thënë se janë të vendosur për të ulur inflacionin në 2% dhe do përdorin norma më të larta interesi për ta bërë këtë, edhe pse masa pritet të godasë mijëra pronarë shtëpish me kosto më të larta hipotekore.

Lëvizja nga rregullatori britanik vjen pas rritjes së normave nga Rezerva Federale e SHBA-së të mërkurën dhe Banka Qendrore Evropiane javën e kaluar.