Vendosni fjalën kyçe....

Çmimet e larta të naftës frenojnë konsumin, importet bien me 9.2% për 9-mujorin


Këtë vit çmimet e naftës kanë shënuar rekorde të panjohura më parë në tregun vendas. Një litër naftë aktualisht shitet me 232 lekë për litër ose 28.4% më shumë se, në shtatorin e vitit të kaluar ku çmimi me pakicë për një litër ishte 186 lekë.

Rritja e çmimit ka ndikuar në uljen e konsumit që është reflektuar në importe më të ulëta të naftës. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se për periudhën, janar -shtator 2022 importet e arritën në 419 mijë tonë me rënie 9.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.

Në muajin shtator u importuan vetëm 49,780 tonë, sasi kjo 0.7% më e ulët se edhe në shtatorin 2020, kur ekonomia dhe turizmi u hapën pas kufizimeve të pandemisë, Covid-19. Burimet nga tregun pohojnë se konsumi ka rënë në rrethet kufitare të cilat më rritjen e çmimit kanë shtuar furnizimet në vendet fqinjë, Greqi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, pasi për shkak të taksave më të ulëta edhe çmimi në këto vende është më i ulët.

Sipas muajve, rënia më e madhe ishte në mars (-16% me bazë vjetore), kur çmimet arritën në nivele rekord, duke i kaluar 250 lekë për litër. Tkurrja vijoi përgjatë të gjithë muajve në vijim. Në gusht, që është kulmi i sezonit dhe gjithnjë ka shtim të konsumit për shkak të turistëve, importet ranë me 9%. Sipas operatorëve të tregut kjo lidhte me faktin që turistët furnizoheshin me karburantet në Kosovë, Mal të Zi apo Maqedoninë e Veriut. Rritja e udhëtimeve të shqiptarëve jashtë vendit për pushime ishte një tjetër faktor që ndikoi negativisht konsumin.

Teksa importet tregojnë për rënie të konsumit, të dhënat e INSTAT për tregtinë me pakicë në 6- mujorin e parë të vitit treguan të kundërtën. Shitjet e pakicës së karburanteve shënuan rritje vjetore me 5.2% në 6 mujorin e parë të këtij viti. Kjo ndodhi teksa ministria e Financave raportoi rënie të importeve që vijoi deri në fund të tremujorit të tretë 2022.

Çmimet e naftës në tregun e brendshëm kanë humbur elasticitetin për shkak se, përcaktimi i tyre bëhet nga një Bord me pjesëmarrje qeveritare. Bordi i cili duhet të përcaktojë nivelin e çmimit bazuar në një metodologji që merr në konsiderate çmimet në bursën Platts, kursin e këmbimit, etj, nuk ka një grafik të rregullt mbledhjesh. Shpesh vendimet merren shumë më vonë se sa ulja e çmimit në bursa, duke i ngarkuar shqiptarët me çmime më të larta përtej asaj që tregun ofron.

Nafta në bursat ndërkombëtare është në tendencë rënëse përgjatë gjithë muajit tetor, teksa bordi nuk u mblodh për të reflektuar ndryshimet përgjatë gjithë periudhës nga 12 tetor deri me 1 nëntor.

Në tregjet ndërkombëtare, nafta tregtohet me rreth 94 dollarë për fuçi, në nivelet e shkurtit, përpara se të fillonte shtrenjtimi për shkak të problemeve me furnizim, që u shkaktuan nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

Në Shqipëri, niveli maksimal i naftës arriti në 265 lekë për litër, ndërsa në periudhën mars – nëntor, karburanti është tregtuar midis 230-240 lekë për litër, që është 20-30% më shtrenjtë se niveli i shkurtit.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al