Vendosni fjalën kyçe....

Fushatë presioni në mediet britanike për emigrimin e të rinjve shqiptarë


Prej disa javësh, në mediat kryesore britanike ka nisur një fushatë presioni për sa u përket emigrantëve shqiptarë që janë futur në ishull këtë vit.

Mediat citojnë raportet zyrtare sipas të cilave ndërsa dy vitet e fundit në vend janë futur me gomone më pak se 1 mijë persona, këtë vit numri i atyre që ia kanë dalë dhe janë futur në vend është të paktën 12 mijë.

Ato i kanë shoqëruar raportet e tyre me shqetësimin se një pjesë e atyre që janë futur në vend janë të destinuar të përfshihen në veprimtari kriminale mes të cilave të ashtuquajturat ‘shtëpi bari’, ku prodhohet kanabis duke theksuar gjithashtu se Shqipëria llogaritet si vend i sigurt nga qeveria britanike.

Tema e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë që janë futur në vend me gomone përmes kanalit që ndan ishullin nga Franca është kryesore në mediat britanike, por së fundmi ajo i ka kapërcyer kufijtë e medias dhe është kthyer në çështje politike.

Ajo është ngritur në disa dalje medatike prej ministrit të Emigrimit Robert Jenrick e zyrtarëve të Zyrës së Emigrimit apo policisë. Jenrick e ka quajtur çështjen e emigrimit të paligjshëm në vend një sfidë delikate duke përmendur specifikisht ata shqiptarë.

“Ka disa sfida të reja që janë shfaqur. Psh. një numër shumë i mash shqiptarësh kanë ardhur në Angli së fundmi.” – tha Jenkins për BBC.

 

Tema u kthye në përplasje e debate edhe në parlamentin e vendit ku ministrja e re e Brendshme Suella Braverman e quajti pushtim ardhjen e emigrantëve, mes të cilëve përmendi edhe ata shqiptarë.

Ajo ka përmendur disa masa për të shmangur dyndjen e emigrantëve të paligjshëm në vend, mes të cilave edhe përpunimin ditor të kërkesave për azil që janë rritur ndjeshëm ndërsa koha e deritanishme e përpunimit të tyre deri tani ka qenë tejet e ngadaltë.

“Qytetarët britanikë meritojnë të dinë se cila parti është serioze për ndalimin e pushtimit në bregdetin tonë jugor dhe cila parti nuk është. Rreth 40,000 njerëz kanë mbërritur në bregdetin jugor vetëm këtë vit. Shumë prej tyre të ndihmuar nga bandat kriminale, disa prej tyre anëtarë të vërtetë të bandave kriminale. Pra, le të ndalojmë së pretenduari se ata janë të gjithë refugjatë në ankth.” – tha Braverman.

Megjithatë deklaratat e saj janë kritikuar ndjeshëm si nga një pjesë deputetësh britanikë ashtu edhe nga ekspertë e analistë në vend. Ata i kanë quajtur krejt të papërshtatshme e të pavërteta duke vënë gishtin në problematikat e shumta që ka vetë sistemi në vend.

Deklaratat e Braverman kanë çuar edhe në reeagim zyrtar të Shqipërisë përmes kryeministrit Rama. Në një intervistë për BBC, dy ditë më parë, kreu i qeverisë tha se deklaratat e ministrave britanikë për shqiptarët janë nxitje ksenofobie e veçim i një komuniteti të caktuar.

Ai gjithashtu pohoi se ishte i neveritur nga gjuha e përdorur duke theksuar se ajo që ka dështuar është politika britanike për kufijtë e krimin dhe ajo është e destinuar të dështojë nëse vijon të përdorë të njëjtën gjuhë ndaj emigrantëve shqiptarë.

“Nuk bëhet fjalë për një person. Ka të bëjë me klimën që është krijuar dhe ka të bëjë me gjetjen e kockave të kurbanit dhe fajësimin e të tjerëve. Nuk bëhet fjalë për shqiptarët, as alienët apo gangsterët, por ka të bëjë me politikat e dështuara për kufijtë dhe krimin. Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program, nuk është një vizion. Ajo nuk është gjë tjetër veçse nxitja e ksenofobisë dhe synimi, veçimi i një komuniteti. Unë admiroj gjithçka që përfaqëson Britania. Por me të vërtetë jam i neveritur për këtë lloj politike që në fund është e dënuar të dështojë.” – tha Rama për BBC.

Rama gjithashtu solli si shembull trajtimin që Gjermania u bëri emigrantëve shqiptarë të mbërritur në vend duke i ftuar qeveritarët britanikë që ta merrnin si shembull në zgjidhjen e problemeve.

“Unë mendoj që ky vend këtu është një shembull. Gjermania pati një problem të ngjashëm ku me valën e madhe krizën e refugjatëve njerëz nga rajoni e Shqiëria shkuan e nuk dëgjova asnjë politikan e jo më ministra të flasin për pushtim. Nuk dëgjova kurrë asnjë politikan gjerman e jo më ministër të qeverisë të flasë për shqiptarët që janë kriminelë e sjellin kriminelë por pashë një qeveri mjaft të intersuar për ta trajtuar cështjen me dinjitet e respekt e për të ecur në mënyrë konkrete duke e radhitur Shqipërinë në vendet e origjinës së sigurt, duke forcuar sistemin e aplikimeve e duke i dhënë fund asaj trazie të atij momenti në mënyurën më dinjitoze e të respektuar. Ndaj në vend që të ndizej një narrativë e çmendur pushtuesish e gangsterësh lidhur me kufirin, përfaqësuesit britanikëe duhet të vijnë në Gjermani e të mësojnë shpejt e të ndreqin problemet e veta. Ne në Shqipëri s’jemi të ndreqim problemet që kanë në Britani.”

Në debatin mediatik në rrjetet sociale për emigrantët shqiptarë në Britani është futur edhe Princ Leka. Ai i ka quajtur deklaratat e ministers Braverman ‘ksenofobe’ e që ‘demonizojnë’ Shqipërinë për përfitime politike në Britani.

“Britania e Bashkuar ka një popullsi prej 67 milionë banorësh, me 6 milionë emigrantë. 12 mijë shqiptarët nuk janë pushtim. Dështimet e zbatimit të ligjit britanik nuk janë përgjegjësia jonë. Një numër i madh i shqiptarëve që vijnë në Britani janë nga BE-ja e jo nga Shqipëria. Mos na demonizoni për përfitimet tuaja të brendshme politike!” – shtoi trashëgimtari 40-vjeçar i fronit.

Sipas gazetares britanike Alice Taylor, e cila punon e jeton në Shqipëri, shkaqet për rritjen e numrit të emigrantëve shqiptarë drejt Britanisë janë të shumta, si në Shqipëri ashtu edhe vendin e destinacionit.

Në një intervistë për BBC, ajo tha se fakti që emigrantë shqiptarë futen në Britani me gomone në mënyrë të paligjshme nuk i bën ata aspak kriminelë duke pohuar se janë njerëz krejt të zakonshëm nga qytete e fshatra të vendi, të dëshpëruar në vendin e tyre e që vijnë për një jetë më të mirë në Britani. Taylor thekson gjithashtu se një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptarë që aplikojnë për azil në Britani e përfitojnë atë, pasi i plotësojnë kushtet e kërkuara.

 

Ndërsa tema e emigrantëve shqiptarë që hyjnë në Britani me gomone nuk pritet të fashitet shpejt nga mediat e politika në ishull, shqetësimi më i madh që ngrenë ato është kriminalizimi i tyre pas mbërritjes në vend, sidomos përmes fermave të kanabisit apo siç njihen ndryshe ‘shtëpi bari’ në Shqipëri. /Hashtag.al