Vendosni fjalën kyçe....

Gjiganti gjerman i gazit raporton humbje prej 40 miliardë eurosh


Importuesi më i madh gjerman i gazit Uniper raportoi të enjten humbje neto marramendëse prej 40 miliardë eurosh deri në shtator, duke përmendur pakësimin e furnizimeve nga Rusia si arsye kryesore.

Kompania vuri në dukje se furnizimet me gaz rus për kompaninë pushuan plotësisht në tremujorin e tretë, duke e detyruar atë të blinte gaz në treg me çmime dukshëm më të larta.

“Uniper ka disa kohë që blen gaz me çmime dukshëm më të larta dhe siç dihet, ka shënuar humbje të konsiderueshme për shkak se kostot e zëvendësimit të blerjes së gazit të ri nuk po kalohen tek konsumatorët.” – tha administratorja e kompanisë, Tiina Tuomela në një deklaratë, siç citohet nga Bloomberg.

Uniper është një nga kompanitë më të goditura energjetike të BE-së nga pakësimi i furnizimeve me energji nga Rusia. Ajo do marrë një paketë ndihme prej 30 miliardë eurosh deri në fund të vitit nga qeveria gjermane, e cila do të çojë në shtetëzimin e gjigantit të energjisë.

Berlini ka frikë se nëse kompania dështon të qëndrojë në këmbë, mund të ketë një efekt domino në sektorin energjetik të vendit.

Sipas Reuters, humbja neto e raportuar e Uniper është ndër më të mëdhatë në historinë e korporatave të Gjermanisë.