Italia planifikon të ndajë të paktën 15 miliardë euro në buxhetin e vitit të ardhshëm për të zbutur ndikimin e rritjes së kostove të energjisë tek bizneset dhe familjet, raportoi Reuters të enjten, duke cituar burime qeveritare.
Një pjesë e fondeve do mblidhen duke marrë një pjesë nga 9 miliardë eurot e caktuara në vitin 2023 për një skemë të lehtësimit të varfërisë, shton Reuters.
Sipas agjencisë, kryeministrja e zgjedhur së fundmi Giorgia Meloni ka thënë tashmë se do shtyjë masat, të tilla si rritjen e pensioneve e uljet e taksave, të cilat ajo kishte premtuar gjatë fushatës së saj, dhe do ridrejtojë fondet për të zbutur efektet e krizës së vazhdueshme energjetike.
Megjithatë, pjesa më e madhe e financimit do vijë nga fondet e liruara nga rritja e deficitit buxhetor të vitit të ardhshëm në 4.5% të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), nga 3.4% që qeveria kishte parashikuar në shtator.
Rregulloret në mbarë BE-në që kufizojnë deficitet e qeverive në vendet e Eurozonës në 3% të PBB-së u pezulluan gjatë pandemisë. Komisioni Evropian shtyu rivendosjen e politikës së disiplinës fiskale deri në vitin 2024 për shkak të luftës në Ukrainë.
Inflacioni në Itali u rrit në 11.9% në tetor 2022, norma më e lartë që nga marsi 1984, sipas shifrave të përkohshme të zyrës kombëtare të statistikave të vendit Istat.