Policia e Durrësit ka publikuar detaje të reja lidhur me sasinë 33.5 kilogramë kokainë të gjetur në një kontenier me banane në Port.
Në kuadër të operacionit të koduar “Again”, u vu në pranga administratori i kompanisë që priste ngarkesën me banane, ndërsa është shpallur në kërkim gjithashtu presidenti i kësaj kompanie.
Dy punonjës të skanerit në Portin e Durrësit janë vënë ndërkohë në pranga.
Të gjithë këta dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit.
NJOFTIMI I POLICISË
Port, Durrës – Vijon operacioni policor i koduar “Again”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta.
Operacioni u zhvillua nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Port Durrës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit.
Vihet në pranga administratori i kompanisë që priste ngarkesën me banane, brenda së cilës Policia gjeti 33.5 kilogramë kokainë.
Shpallet në kërkim presidenti i kësaj kompanie.
Në pranga edhe 2 punonjës të skanerit, në Portin e Durrësit.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për zbardhjen e rastit të trafikimit të 33.5 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, gjatë operacionit policor të koduar “Again”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- D., 57 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banane, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”;
- N., 48 vjeç, banes në Tiranë, me detyrë operator skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsfikimi kompjuterik”;
- S., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë imazhier skaneri, në Portin e Durrësit, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Flasifikimi kompjuterik”.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi T. M., 53 vjeç, banues në Tranë, president i kompanisë pritëse të ngarkesës me banane. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij.
Arrestimi i 3 shtetasve dhe shpallja në kërkim e presidentit të kompanisë, u bënë në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, gjatë të cilit, shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative që dispononte Policia e Shtetit, se në një kontenier me ngarkesë bananesh, për llogari të një kompanie në Tiranë, kishte lëndë narkotike, ushtruan kontroll të imtësishëm me qen antidrogë, pavarësisht se skaneri e nxorri të pastër ngarkesën me banane.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.