Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i KQZ-së për zgjedhjet: Më 27 mars përfundon regjistrimi i kandidatëve, s’kam përgjigje kë PD do regjistrojmë


Kreu Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi ka njoftuar se regjistrimi i kandidatëve për zgjedhjet lokale të 2023-shit, përfundon më 27 mars.

I pyetur nga gazetarët se kë PD do regjistrojë në zgjedhje, atë nën drejtimin e Sali Berishës apo të Enkelejd Alibeajt, Celibashi tha se vendimin KQZ do e marrë pasi t’i vijë kërkesa për regjistrim.

“Nuk kam asnjë lloj përgjigje, se si do të jetë situata me regjistrimin e çdo subjekti zgjedhor do ta themi kur të përgjigjet kërkesa. Në momentin që do ta kem dokumentacionin përkatës do ta keni dhe përgjigjen. Do ishte jo etike dhe jo korrekte që vendimin ta prezantoja pa e marrë, në momentin kur kjo çështje do të jetë për t’u diskutuar do ekzistojë gjithë transparenca, por nuk është momenti. Pastaj secili nga ne ka një opinion.”- tha Celibashi.

Megjithatë ai shtoi se përfaqësuesit e PD-së në KQZ janë Marash Logu dhe Indrit Sefa, nga grupi i Enkelejd Alibeajt.

Ai tha se deri më 6 Mars kanë kohë partitë politike për t’u regjistruar dhe më pas më 15 Mars regjistrimi për koalicionet.

Ndërkohë fushata zgjedhore do zgjasë 1 muaj, fillon më 14 prill dhe do të mbarojë më 13 maj.

“Në 6 mars përfundon afati i kërkesave për regjistrimin e partive politike, jo më shumë se 70 ditë nga data e zgjedhjeve. Më 15 mars 2023 përfundon afati i kërkesave për regjistrimin e koalicioneve. Më 27 mars përfundoni afati për paraqitjen e kandidatëve për kryetar bashkie si dhe listave shumëermërore për anëtarët e Këshillit Bashkiak. Më 14 prill fillon fushata zgjedhore. Në 8 maj përfundon afati për publikimin e sondazheve, më 13 maj përfundon fushata zgjedhore dhe nis heshtja zgjedhore. Në 2 maj 2023 është afati i fundit për vëzhguesit vendas përfshirë edhe mediat. Në 11 maj përfundon afati për vëzhguesit ndërkombëtar. Më 23 nëntor është afati për shpalljen e listës paraprake të zgjedhësve, 30 ditë pas nxjerrjes. Në 15 mars 2023 përfundon afati për të kërkuar ndryshime në listën paraprake të zgjedhësve dhe më 9 prill shpallet lista përfundimtare e zgjedhësve.”– tha ai.