Vendosni fjalën kyçe....

Mbyllet hapësira ajrore mbi aeroportet spanjolle, raketa kineze bie në Tokë në mënyrë të pakontrolluar


Hapësira ajrore mbi disa aeroporte në Spanjë u mbyll këtë të premte pas paralajmërimeve se mbetjet e një rakete kineze do të bënin një rihyrje të pakontrolluar në Tokë.

Siç shkruan The National, autoritetet spanjolle mbyllën përkohësisht hapësirën ajrore mbi aeroportet e Barcelonës, Tarragonës, Reusit dhe Ibizës.

“Për shkak të rrezikut që lidhet me kalimin e objektit hapësinor CZ-5B që kalon hapësirën ajrore spanjolle, fluturimet janë kufizuar plotësisht nga ora 09:38 deri në 10:18 në Katalonjë dhe komunitete të tjera. Aeroportet dhe organizatat tashmë janë informuar.”– njoftoi Mbrojtja Civile e Spanjës.

Një trajektore e përditësuar e mbeturinave tregoi se ato do të fluturonin mbi pjesë të Evropës.

Këto janë mbetje nga raketa Long March 5B që u lëshua nga Kina.

Rrjeti i Mbikëqyrjes dhe Gjurmimit të Hapësirës i BE-së po gjurmonte drejtpërdrejt mbeturinat, të cilat pritej të binin përsëri në Tokë të premten.

Në fillim të kësaj jave, Agjencia Hapësinore e Filipineve lëshoi ​​një paralajmërim për publikun se zona e rënies pritej të ishte pranë ishujve të saj.

Kjo nuk është hera e parë që pjesë të një rakete kineze rikthehen në Tokë në mënyrë të pakontrolluar.