Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Qytetarët e presin me padurim protestën e 12 nëntorit kundër skandaleve të llahtarshme të qeverisë


Ilir Meta akuzoi kryeministrin Rama për shpopullimin e vendit e krizën e gjithanshme, sidomos atë ekonomike që ka prekur vendin.

Në një bashkëbisedime me gazetarët nga selia e Partisë së Lirisë, ai tha se qytetarët e kanë pritur me padurim datën e protestës kundër atyre që i quajti skandale të llahtarshme të qeverisë.

“Këtu në vend ky kryeministër i papërgjegjshëm vijon të godasë investitorët vendas. Është skandaloze që paketa fiskale për vitin e ardhshëm të shohësh masa si 10 fishimi i gjobave, tërësisht antikushtetues, po kështu në këto kushte papunësie dhe krize, heqja e akcizës së diferencuar për birrën, kundërvënie ndaj direktivës së BE, jo vetëm që godet prodhimin vendas, por rrezikon mbylljen e mijëra vendeve të punës. Ne i kemi ftuar qytetarët dhe jemi të sigurt se mezi e kanë pritur një datë për të shprehur padurimin e tyre për ndryshim dhe protestën e tyre për të gjitha këto skandale të llahtarshme ku është zhytur kjo qeveri që ka goditur perspektivën e vendit dhe ka vrarë shpresën e të rinjve. 12 nëntori do të jetë një ditë e rëndësishme për demokracinë dhe rizgjimin e dinjitetit kombëtar.” – tha Meta.

Meta preku edhe samitin BE-Ballkani perëndimor në Berlin duke vlerësuar ndërhyrjen e Gjermanisë si dhe nënshkrimin e tre marrëveshjeve.

“Kemi shprehur vendosmëri që procesi i Berlinit të vijojë, proces që mund të sjellë përparimin bashkëpunimit rajonal dhe përafrimit të rajonit me BE. Kjo u provua dje me tre marrëveshjet e nënshkruara. Jemi të lumtur që Scholz mbajti premtimet e tij. Shumë e rëndësishme të vijohet përmes Procesit të Berlinit, si proces gjithëpërfshirës, me kuadër të qartë europianizues. Çdo drejtim tjetër nuk është asgjë veç humbje kohe.” – tha ai.