Vendosni fjalën kyçe....

Scholz i kërkon Kinës t’i bëjë presion Rusisë për t’i dhënë fund luftës


Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka kërkuar Kinës që të përdorë ndikimin e saj në Rusi për të ndalur luftën në Ukrainë.

Pas një takimi me presidentin Xi Jinping në Pekin, Scholz tha se të dy vendet kishin rënë dakord se kërcënimet bërthamore të Rusisë ishin të papërgjegjshme dhe shumë të rrezikshme.

Presidenti kinez ka refuzuar të dënojë pushtimin e Vladimir Putin, megjithatë ai tha se komuniteti global duhet të mbështesë përpjekjet për t’i dhënë fund krizës në mënyrë paqësore dhe të kundërshtojë përdorimin e armëve bërthamore.

Udhëtimi i Scholz në Kinë ka ngjallur shqetësim në Gjermani dhe gjetkë në Evropë, pasi lideri kinez kohët e fundit forcoi kontrollin e tij në vend.

Siç shkruan BBC, vizita e Scholz në Kinë ishte e shkurtër, vetëm 11 orë dhe e diskutueshme.

Ai është lideri i parë perëndimor që udhëton në Pekin që nga pandemia e Covid-19 dhe i pari që takoi Presidentin Xi që kur ai forcoi kontrollin e tij në pushtet në Kongresin Kombëtar të Partisë Komuniste muajin e kaluar.