Vendosni fjalën kyçe....

Suksesi i drejtorit të ri të Durrësit në muajin e parë në detyrë, goditja e trafikut të drogës nga Ekuadori


Skënder Hita, drejtor i Policisë së Durrësit

Policia e Durrësit vijon të shënojë suksese nën drejtimin e Shefit të ri, Skënder Hitës.

Pas transferimit të tij nga Dibra në Durrës, një nga Drejtoritë Vendore më të rëndësishme që kishte mbetur pa drejtues në fillim të muajit tetor, janë zbardhur një sërë ngjarjesh të vjetra kriminale, janë arrestuar persona që kanë qenë në kërkim prej vitesh për ngjarje të rënda, dhe kapur në kohë rekord autorët e grabitjes së një banke. Suksesi i javës së parë në punë ishte goditja e një bande kriminale që merrej me vrasje me pagesë në qytetin bregdetar (lexo këtu).

E tanimë me një muaj në detyrë, arritja më e fundit ishte goditja e mbrëmjes së kaluar ndaj veprimtarisë kriminale të trafikimit të kokainës nga Ekuadori.

Mbrëmë në Portin e Durrësit, strukturat e drejtuara nga Hita zbuluan një sasi prej 33.5 kg kokainë të fshehur mes arkave me banane.

Kjo pasi skaneri i ndodhur në ambientet e brendshme të Portit të Durrësit në fakt e kishte nxjerrë të pastër ngarkesën me banane.

Por strukturat e Policisë kryen kontrolle të imtësishme me qen antidrogë, të cilët zbuluan lëndën narkotike të cilën skanerat nuk e kishin zbuluar dot.

Vetëm një vit më parë, një sasi gati katër herë më e madhe se e djeshmja u kap në kontenierët e kompanisë “Zico Sh.a”, por asokohe u arrestuan vetëm shoferët.

Këtë radhë Policia ka njoftuar se jo vetëm u vunë në pranga punonjësit e skanerit dhe administratori i kompanisë, por është shpallur në kërkim gjithashtu presidenti i kësaj kompanie, Trifon Murataj.

“Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi T. M., 53 vjeç, banues në Tranë, president i kompanisë pritëse të ngarkesës me banane. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij.”– thuhet në njoftimin e shpërndarë sot për mediet.