Vendosni fjalën kyçe....

Turqia e Rusia dakord për dërgesat falas të grurit ndaj vendeve të varfra në Afrikë – Erdogan


Presidentët e Rusisë dhe Turqisë ranë dakord në një telefonatë të fundit për dërgimin e grurit për vendet më të varfra të botës pa pagesë, ka zbuluar lideri turk, Recep Tayyip Erdogan. Ai i bëri komentet ndërsa mbajti një fjalim para biznesmenëve në Stamboll të premten.

“Në bisedën time telefonike me Vladimir Putin, ai tha ‘le ta dërgojmë këtë grurë në vende të tilla si Xhibuti, Somalia dhe Sudani falas’ dhe ne ramë dakord.” – tregoi Erdogan, pa dhënë asnjë hollësi të mëtejshme se si mund të funksionojë një skemë e tillë. Moska deri më tani nuk ka dhënë asnjë koment zyrtar mbi deklaratën e presidentit turk.

Propozimi vjen mes vështirësive në marrëveshjen që lehtëson eksportet e grurit nga Ukraina. Marrëveshja u negociua fillimisht në korrik dhe u krijua përmes një sërë marrëveshjesh që përfshinin Rusinë, Ukrainën, Turqinë dhe OKB-në. Ajo u krijua për të ndihmuar në zhbllokimin e eksporteve bujqësore nëpërmjet Detit të Zi nga portet ukrainase, të cilat ishin bllokuar për shkak të konfliktit të vazhdueshëm midis Moskës dhe Kievit.

Rusia pezulloi shkurtimisht pjesëmarrjen e saj në marrëveshje pas një sulmi ndaj anijeve të flotës së saj në Detin e Zi. Moska fajësoi Kievin për incidentin, duke pretenduar se kishte përdorur korridorin e grurit për të lëshuar drone detare ndaj anijeje. Ukraina nga ana e saj ka mohuar përfshirjen.

Moska iu kthye marrëveshjes pasi mori garanci me shkrim sigurie nga Kievi se nuk do ta përdorë korridorin për qëllime ushtarake. Të mërkurën, Putin tha se nëse Kievi thyen premtimet e tij, Rusia rezervon të drejtën të tërhiqet nga marrëveshja përgjithmonë. Në të njëjtën kohë, presidenti rus theksoi se Moska është e gatshme të furnizojë drithë për vendet më të varfra pa pagesë.