Vendosni fjalën kyçe....

Vonesat në procedura, ERE shtyn sërish afatin për kompaninë e parkut eolik 72MW në Jug


Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka shtyrë edhe me tre muaj të tjerë afatin për kompaninë E Vento Srl sa i takon dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm mjedisor dhe gjashtë muaj për atë pronësor.

Kompania parashikon ndërtimin e një parku eolik me kapacitet 72 MW në Jug të vendit, një projekt ky që daton qysh nga viti 2008 por zbatimi i tij ka mbetur pezull duke mos avancuar.

Duket se kriza e energjisë që ka zgjuar “oreksin” e investimeve të shumta në fotovolatikë dhe eolikë ka bërë që edhe projekti në fjalë të ketë zhvillime të reja sa i takon rrugës drejt konkretizimit.

Enti në vendimin e tij zbardh gjithashtu se sa i përket realizimit të investimeve për zhvillimin e projektit, shoqëria ka depozituar një marrëveshje investimi ndërmjet saj dhe shoqërisë “G.P.G COMPANY” sh.p.k. me objekt bashkëpunimin mes dy shoqërive për të mundësuar realizimin e projektit të ndërtimit të parkut eolik, ku shoqëria “G.P.G COMPANY” sh.p.k. merr përsipër të mbulojë të gjitha shpenzimet e nevojshme të paraqitura për realizimin.

Deklarata mjedisore e kompanisë nuk është siguruar dhe kjo e fundit ka argumentuar para ERE-s se miratimi nuk varet prej saj. Pas një aplikimi të bërë në maj në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit E Vento SRL aplikoi sërish në fund të tetorit duke përfshirë përmbledhjen joteknike të projektit.

Projekti i parkut eolik

Në dokumentet e kompanisë cilësohet se kapaciteti i instaluar do të jetë 72 MW ndërkohë që do të vendoset në disa rajone në zonën e Sarandës. Konkretisht në zonën e Livadhjasë sipas kompanisë do të vendosen disa turbina.

“Projekti i nismës është realizimi i një centrali për prodhimin e energjisë elektrike nga burime eolike në territorin e rajonit të Sarandës, përkatësisht ne 6 impiante në Njësinë Administrative Livadhja (Bashkia Finiq), 17 impiante në Njësinë Administrative Markat (Bashkia Konispol) të tipit Gamesa G80 nga 2000 kW= 2 MW, me një fuqi totale prej 46 MW. Parashikon të prodhojë një sasi elektriciteti prej rreth 124 200 MWh/vit.

Turbinat janë trefletëshe me shpejtësi variabel dhe kontroll të fuqisë/momentit nëpërmjet rregullimit të hapit të fletëve, me një diametër të rotorit 80 m dhe lartësi të mocos të zgjedhur 78 m. Në majë të kullës prej çeliku ndodhet një kabinë prej materiali xhamrëshiror, brenda së cilës ndodhet gjeneratori elektrik asinkron trefazesh me polaritet të dyfishtë.

Fillimi i prodhimit të energjisë elektrike kryhet për një shpejtësi të erës 4 m/s ndërsa shkëputja ndodh për shpejtësi të erës 25 m/s. Zona përfshihet në një rajon me erëra, që ka një lartësi mesatare mbi nivelin e detit prej 750 metra dhe është ndarë në dy male të të njëjtit kompleks (Mali Mil dhe Mali Mëlleze). Kreshtat e të dy relieveve se bashku me territorin rrethues janë të thatë, aktualisht të destinuara për kullotat e bagëtive të imta” thuhet në dokument./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor