Vendosni fjalën kyçe....

Braktisja e institucioneve nga Lista Serbe, reagon Presidenca e Kosovës: I njëjti skenar si ai që ndoqi Rusia në Donbas


Presidenca e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Listës Serbe për të braktisur të gjitha institucionet në Prishtinë.

Shefi i stafit të Presidencës së Kosovës, Blerim Vela, shkruan në “Twitter” se Serbia është duke i detyruar dhe nxitur serbët që të braktisin punën e tyre dhe se kjo ngjan me atë që në vitin 2014 ka bërë Rusia në Donbass.

“Serbia po i detyron dhe nxit serbët e Kosovës që të braktisin punën e tyre në institucionet e Kosovës. Ky akt i ngjan nxitjes së Rusisë në Donbas në vitin 2014.”- shkruan Vela.

Ai shton se Lista Serbe po përdoret si mjet për të destabilizuar Kosovën nga regjimi i Aleksandër Vuçiçit.

Vela shton: “Me detyrimin e serbëve të Kosovës që të largohen nga institucionet e Kosovës, Serbia shkeli në mënyrë të njëanshme të gjitha marrëveshjet e Brukselit për shpërbërjen e strukturave të saj ilegale në Kosovë. Një frikësim i tillë nuk do të funksionojë! Institucionet e Kosovës do të mbeten multietnike dhe përfaqësuese të të gjitha komuniteteve.”

 

Shefi i stafit të Presidencës së Kosovës thotë se detyrimi i serbëve për t’u larguar (madje edhe përkohësisht) nga Serbia duket se është gjithashtu “një përpjekje e Vuçiçit” për të minuar progresin dhe nismat e fundit në lidhje me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

 “Ai po ndjek paradigmën e Millosheviçit: zjarrvënës ditën, ‘paqebërës’ natën.” – përfundon Vela.