Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka premtuar se do të shtrojë çdo rrugicë të Tiranës dhe theksoi se askujt s’do i prekë më këmba në baltë.
“Më vjen shumë mirë që, edhe Njësia 9, ku ne kemi bërë një super shkollë si ‘Hasan Vogli’, është prekur nga ndërhyrjet në nivel kapilar. Është shumë e rëndësishme që, tani që bëjmë edhe infrastrukturën dhe që nuk i prek këmba askujt në baltë në të gjithë këtë mëhallë, të kompletojmë edhe pjesët në brendësi të pallateve. Kemi pasur ndërtesa të vjetra, ndërtesa që kanë qenë të amortizuara, janë bërë edhe dy pallate, tashmë duhet që të kujdesen administratorët. Pra, nëse Bashkia paguan gjysmën për kafazin e ashensorit, për instalimet, për veshjen me kapotë, duhet ta mirëmbajmë.”- tha Veliaj ndërsa inspektonte punimet në rrugën e asfaltuar së fundmi të “Ramazan Kasa”, afër shkollës “Hasan Vogli” në Tiranë.
Kryebashkiaku premtoi se do të investohen në 300 mijë metra katrorë asfaltim dhe sistemim rrugësh.
“Do të thotë se do të futemi në të gjitha xhepat pallateve, në të gjitha rrugicat”– shtoi Veliaj, të cilit si duket nuk Ii kanë dalë dy mandate dhe kërkon mandatin e tretë në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në Maj të vitit të ardhshëm.